Nuk mund të them me saktësi se si është tërhequr UÇK-ja nga Kalaja e Tetovës. Këtë duhet ta tregojnë ata që kanë qenë atje. Pyetjet mbeten: kush, si dhe në çfarë rrethanash ndodhi ajo tërheqje?
Shkruan Xhezair Shaqiri
Unë mund të tregoj një përvojë timen nga Tanusha, para dhe gjatë fillimit të luftës, dhe prej saj mund të nxirren paralele për atë që mund të ketë ndodhur edhe në Tetovë.
Rreth një javë pasi kishte filluar lufta e UÇK-së, në Tanushë më erdhi një person ndërmjetësues dhe më tha: “Do të vijnë disa persona, pushtetarë shqiptarë të Maqedonisë.” I prita bashkë me disa ushtarë të UÇK-së në shtëpinë e Sulës/Ilmisë, afër shkollës fillore. Në mesin e tyre ishte edhe komandant Tali.
Më pas erdhi Flamur Ames, i shoqëruar nga dy persona të tjerë. Ai kishte me vete një çantë jo të vogël. Filloi të fliste dhe tha se ishte dërguar nga Arbër Xhaferi dhe Menduh Thaçi për të na bindur që të tërhiqnim të gjithë ushtarët e UÇK-së nga Tanusha dhe të shkonim në Kosovë. Sipas tij, do të bëhej një “rehabilitim i plotë” për luftëtarët, do të siguroheshin banesa dhe më tha: “Kërkoni sa miliona marka doni.”
Në atë moment, ai hapi çantën që kishte me vete, ku vëreheshin qartë shumë tufa me marka gjermane. Pastaj mori telefonin dhe më tha: “A do të flasësh me Menduhin apo me Arbrin për ta vërtetuar?”
Unë iu përgjigja shkurt:
“UÇK-ja nuk tërhiqet dhe nuk kam çfarë të flas me politikanë. Merri paratë dhe nisuni për në Debëlldë.”
Ai vazhdoi të më bindte dhe të më frikësonte, duke thënë se kjo luftë nuk do të përfundonte me sukses dhe se unë, si komandant, do të përfshihesha në listat e përndjekjes ndërkombëtare. Shtoi gjithashtu se të tjerët nuk njiheshin dhe në rast dështimi do të tërhiqeshin, ndërsa unë do ta paguaja shtrenjtë.
Unë i dhashë një përgjigje të prerë:
“Nuk e kam hallin a do t’i mbijetoj kësaj lufte. E di që ka kush e vazhdon. Largohuni sa më shpejt për në Kosovë, para se të fillojë ndonjë sulm e t’ju zërë ndonjë plumb, e pastaj të na hapni punë për t’ju varrosur.”
Pas kësaj, ata u nisën, të shoqëruar nga ushtarët tanë dhe komandant Tali, nëpër rrugë malore drejt fshatit Debëlldë. Sipas dëshmive të ushtarëve tanë, gjatë rrugës misionarët bisedonin mes vete pa e ulur zërin, duke thënë:
“Pasi komandant Hoxha nuk i mori këto 2 milionë marka, t’i marrim ne dhe të mos ua kthejmë qeveritarëve.”
Unë mund të them me bindje se nuk kam marrë asnjë para. A janë kthyer ato te pronarët, nuk mund të spekuloj.
Rastin e raportova në hierarkinë time. Për habinë time, përgjigjja që mora ishte:
“Pse nuk i ndale? Na duhej ajo shumë, do t’i kishim marrë dhe do ta vazhdonim luftën.”
Nuk mund të them me siguri nëse partitë në pushtet i kishin dërguar këta misionarë, edhe pse ata më propozuan të flisja në telefon me drejtuesit politikë. Unë nuk pranova, dhe mbetet e mundur që ata të kenë keqpërdorur emrat.
Rreth dy javë më vonë filloi lufta në Kalanë e Tetovës. Mund të imagjinohet se një skenar i ngjashëm mund të ketë ndodhur edhe atje. Nuk e di kush dhe si ka vepruar, apo nëse janë pranuar para. Por një gjë e di: komandant Qorri nuk ka marrë asgjë, pasi ka jetuar dhe ka vdekur në varfëri.
Kur filluam luftën frontale në Tanushë, disa individë nga Prizreni kishin formuar me shpejtësi një shtab me struktura. Pyetjet që lindin janë: kush do t’i menaxhonte financat, si do të eliminoheshin komandantët e frontit dhe kush do të merrte pushtetin?
Pas luftës, u vranë disa komandantë: komandant Teli me shokë, pas tri javësh komandant Hoxha, komandant Shpend Llagami…
