Zëvendëskryeministri i parë,Izet Mexhiti, ka reaguar pas vizitës së kryetares së Shkupit, Danella Arsovska, në komunën e Çairit. Ai ka theksuar se kjo vizitë vjen pas katër vitesh mungesë totale dhe ka kërkuar përgjigje konkrete për problemet e akumuluara në këtë komunë, informon POPULLI.mk
“Pas katër vitesh, Danella Arsovska është kujtuar të vijë në Çair! Por ajo duhet të japë përgjigje për rrugën Cvetan Dimov, për Mega Parkun në Fushë Topanë, për kanalizimet dhe ujësjellësat që i ndërton komuna, e që duhet t’i ndërtojë Ndërmarrja Publike e Ujësjellësit,” u shpreh Mexhiti.
Ai theksoi gjithashtu se Çairi është përmbytur nga mbeturinat si asnjëherë më parë dhe se në vend që të marrë përgjegjësi për këto sfida, Arsovska po luan rolin e inspektores në fund të mandatit të saj.
Sipas Mexhitit, problemi real nuk është vetëm Danella Arsovska, por një strategji më e gjerë për destabilizim politik, e orkestruar nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në bashkëpunim me Arsovskën dhe partinë Levica.
“Pas dështimit të planit për rrëzimin e qeverisë me Taravarin, tani Ahmeti po tenton destabilizim përmes komunave, në bashkëpunim me Levicën dhe Danella Arsovskën. Më vjen keq për Danellën sepse është bërë instrument i BDI-së,” tha Mexhiti.
Ai shtoi se do të ishte mirë që Arsovska të vizitonte edhe komunën e Sarajit për të hetuar ndërtimet e egra dhe ndërmarrjet publike që janë në prag të falimentimit, përfshirë Ujësjellësin e Shkupit.
Në përfundim, Mexhiti u shpreh se qëllimi i këtyre veprimeve nuk është interesimi për qytetarët e Çairit apo të Shkupit, por përpjekja për të shpëtuar nga përgjegjësia politike. / © POPULLI.mk