38.8 C
Skopje
E mërkurë, 25 Qershor, 2025

Mexhiti i përgjigjet Selës: Balancuesin e hoqët ju, ne sollëm Ligjin për përfaqësim të drejtë

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka reaguar ndaj kritikave të kreut të ASH-së, Ziadin Sela, i cili e akuzoi qeverinë se me Ligjin për përfaqësim të drejtë po minohet përfaqësimi i shqiptarëve në administratë.

“Balancuesi është shfuqizuar në qeverinë e kaluar ku ka qenë edhe vetë Ziadin Sela. Të gjithë ministrat dhanë pëlqim për shfuqizimin përmes Strategjisë për Reformë të Administratës. Madje, edhe ministrat shqiptarë ishin në një vijë me gjykatësit maqedonas të Gjykatës Kushtetuese që e hoqën balancuesin,” tha Mexhiti.

Ai theksoi se, ndryshe nga ata që vetëm e kanë vajtuar balancuesin, qeveria aktuale e ka zëvendësuar me një zgjidhje ligjore të mirëfilltë: “Ja ku është Ligji! E sollëm në qeveri dhe do të kalojë në Komisionin e Venecias, do ketë debat publik dhe më pas edhe diskutim në Kuvend.”

Mexhiti kujtoi se edhe vetë ASH, gjatë fushatës “Pse jo për kryeministër shqiptar”, kishte premtuar zgjidhje ligjore për balancuesin, por nuk kishte guximin të fliste për një ligj të posaçëm: “Ne, që në vitin e parë të qeverisjes, po mbyllim një çështje që duhej zgjidhur që në vitin 2003, sollëm Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.”

Të ngjajshme

Të fundit