28.8 C
Skopje
E mërkurë, 17 Qershor, 2026

Mexhiti: Kujtimi i Azem Moranës përjetësohet në shkollën e re të fshatit

Në një akt simbolik për nderimin e figurave që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për arsimin dhe identitetin kombëtar, Izet Mexhiti, bashkë me Afrim Gashin, Zekirja Ibrahimin dhe Bekim Salin, vizituan dje familjen e ndjerit Azem Morana, informon POPULLI.mk

Gjatë vizitës, Mexhiti bëri të ditur se shkolla fillore e re në fshatin e lindjes së Azem Moranës do të mbajë emrin e tij, si një mënyrë për të nderuar trashëgiminë e tij arsimore dhe atdhetare.

“Azemi nuk ka qenë veç mësues, por edhe zëri i dijes, i gjuhës dhe i rezistencës. Në një kohë kur ruajtja e gjuhës dhe e identitetit kërkonte guxim, ai nuk u zmbraps,” deklaroi Mexhiti.

“Jam pafundësisht i lumtur që kemi mundur ta bëjmë këtë – që fryma e tij do të jetojë në shkollën fillore ‘Azem Morana’, në vendlindjen e tij. Aty do të rriten gjenerata të reja me idealet që ai mbolli ndër vite.”

Azem Morana njihet si një prej figurave arsimore që, përmes punës së tij si mësues dhe intelektual, kontribuoi në ruajtjen e gjuhës shqipe dhe përçimin e vlerave kombëtare ndër breza, në rrethana të vështira politike dhe kulturore.

Iniciativa për emërtimin e shkollës është përshëndetur nga komuniteti lokal dhe konsiderohet një hap domethënës për ruajtjen e kujtesës kolektive dhe respektin ndaj mësuesve që i shërbyen popullit. / © POPULLI.mk