Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka marrë pjesë në aktivitetin “Ditët e Miqësisë së Gazetarisë” që u mbajt në Shkup, ku u tubuan mbi 100 gazetarë nga rajoni dhe vendi, informon POPULLI.mk
Në fjalën e tij, Mexhiti theksoi se dezinformimi është një nga sfidat më të mëdha për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe se përpjekjet për ta luftuar këtë fenomen duhet të jenë të vazhdueshme. Ai theksoi se është e rëndësishme të vendoset një ekuilibër mes rregullimit të informacionit dhe mbrojtjes së lirisë së medias, në mënyrë që kjo luftë të mos shndërrohet në censurë.
“Pavarësisht përparimeve, përballja me dezinformimin mbetet një detyrë që kërkon bashkëpunim të ngushtë mes gazetarëve, institucioneve dhe qytetarëve. Duhet të forcojmë gazetarinë profesionale dhe lirinë mediatike, në mënyrë që informacioni të jetë i verifikuar dhe i besueshëm,” tha Mexhiti.
Ai gjithashtu propozoi që universitetet dhe katedrat e gazetarisë të angazhohen më shumë në edukimin e qytetarëve për të rritur ndërgjegjësimin mbi rreziqet e dezinformimit.
Në këtë kontekst, Mexhiti nënvizoi nevojën për një kornizë të qartë ligjore të harmonizuar me standardet evropiane për të rregulluar platformat digjitale, të cilat shpesh janë burimi kryesor i përhapjes së lajmeve të rreme.
Në fund, ai falënderoi organizatorët, Unionin e Gazetarëve Shqiptarë dhe të gjithë pjesëmarrësit për mundësinë e këtij debati të rëndësishëm mbi të ardhmen e medias dhe ndikimin e saj në shoqëri. / © POPULLI.mk