Zv.Kryeministri i parë, Izet Mexhiti, priti në zyrën e tij grupin “Kodra Free Riders,” të rinj plot pasion dhe ide novatore, të cilët synojnë ta transformojnë Kodrën e Diellit dhe Parkun Kombëtar të Sharrit në destinacione turistike të preferuara gjatë gjithë vitit, informon POPULLI.mk
“Këta të rinj kanë një vizion të qartë: ta shndërrojnë Kodrën e Diellit në një simbol të turizmit, jo vetëm në dimër, por edhe gjatë verës”, tha Mexhiti, duke vlerësuar përkushtimin e tyre.
Grupi ka paraqitur plane ambicioze, duke përfshirë krijimin e hapësirave për menaxhimin e mbetjeve nga vikend-shtëpizat, ndërtimin e një qendre për pajisje skijimi dhe një bar-kafe, si dhe një kinema në qiell të hapur, ku natyra dhe argëtimi ndërthuren nën yjet e qiellit.
Mexhiti shprehu admirimin e tij për energjinë dhe kreativitetin e grupit, duke premtuar mbështetje të plotë për realizimin e këtyre projekteve. “Të rinjtë tanë meritojnë çdo mundësi për ta kthyer vendin në një histori suksesi”, tha ai.
“Kodra Free Riders” sjellin një dritë të re për Kodrën e Diellit, duke promovuar turizmin e qëndrueshëm dhe zhvillimin e rajonit me ide që ndërthurin natyrën dhe inovacionin. / © POPULLI.mk