Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka theksuar se Qeveria po avancon ndërtimin dhe zhvillimin infrastrukturor si kurrë më parë, duke siguruar investime të reja kapitale në vlerë prej 15 miliardë denarësh për komunat e vendit, informon POPULLI.mk
“Qeveria jonë po ndërton si kurrë më parë dhe të gjitha komunat po përfitojnë pa dallime politike,” deklaroi Mexhiti, duke theksuar se ky angazhim i përgjithshëm synon zhvillimin e barabartë në të gjithë vendin.
Gjatë seancës së sotme të Qeverisë, është miratuar fillimi i procedurave për shpalljen e thirrjes së dytë publike për financimin e projekteve kapitale, që do të realizohen përmes Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale.
“Në thirrjen e fundit, 78 komuna fituan 288 projekte me vlerë 4,5 miliardë denarë, që përkthehet në më shumë se 73 milionë euro investime,” shtoi Mexhiti.
Për zbatimin e këtyre projekteve janë angazhuar disa ministri kyçe, përkatësisht: Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Transportit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Ministria e Sportit, si dhe Ministria e Kulturës dhe Turizmit.
Këto institucione do të përcaktojnë kriteret për financimin e projekteve përmes granteve kapitale, duke mundësuar një zhvillim të qëndrueshëm dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve në të gjitha komunat e vendit. / © POPULLI.mk