Zëvendëskryeministri i parë dhe lideri i LD, Izet Mexhiti, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike në koalicionin VLEN, duke theksuar se përpjekjet për përçarje kanë ardhur si rezultat i oportunizmit dhe ndikimeve të politikanëve të së shkuarës, informon POPULLI.mk
“Angazhimi politik pa ideal është oportunizëm. Ku nuk ka parime, aty ka klientelizëm,” tha Mexhiti në një deklaratë publike, ku thekson se procesi i nisur për ndryshim është sfiduar nga klane të pushtetit dhe rrjete të interesave financiare.
Sipas tij, tentativa për përçarjen e koalicionit VLEN është sponsorizuar nga nëntoka dhe interesa të caktuara të lidhura me politikën e vjetër, por pavarësisht kësaj, ai siguron se lëvizja ka dalë më e bashkuar dhe më e fuqishme.
“Aleanca për Shqiptarët do të dalë më e fortë nga kjo valë e rrezikshme e përçarjes, ndërsa VLEN si frymë e ndryshimit dhe të resë do të ngadhnjejë ndaj të vjetrës dhe të harxhuarës,” u shpreh Mexhiti, duke shtuar se rrjeti i korruptuar ende është prezent, por përpjekjet për ta shkatërruar VLEN-in kanë dështuar.
Në mesazhin e tij, Mexhiti nënvizoi se Aleanca dhe përkrahësit e saj nuk do të ndalen nga rruga e ndryshimit dhe se do të vijojnë betejën kundër krimit dhe korrupsionit.
“Ne jemi këtu, më të fortë se para një viti sepse nijetin e kemi të drejtë, vullnetin e kemi të pastër. Vazhdojmë rrugën tonë për ndryshim, bashkë me Aleancën për Shqiptarët dhe pa oportunistët që i përkasin të shkuarës,” përfundon deklarata e tij.
“Të besosh në parime dhe të luftosh për t’i mbrojtur ato – Po, IA VLEN!” – është mesazhi me të cilin Mexhiti përmbyll reagimin e tij. / © POPULLI.mk




