Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka reflektuar mbi njëvitëshin e parë të qeverisjes, duke e cilësuar atë si një periudhë vendimtare që shënoi kthesën drejt ndërtimit të një shteti ligjor dhe gjithëpërfshirës, informon POPULLI.mk
“Nuk është shumë një vit, por mjafton për të parë drejtimin. Mjafton për të parë ndryshimet”, u shpreh Mexhiti, duke rikujtuar gjendjen në të cilën e morën qeverisjen, një vend të përmbytur nga krimi, korrupsioni, padrejtësia dhe harresa.
Ai theksoi se përballë kësaj gjendjeje, zgjedhja nuk ishte të ankoheshin, por të vepronin. “Vendosëm ta ndryshojmë dhe ta çojmë përpara vendin. Të punojmë për qytetarët tanë”, deklaroi ai.
Sipas tij, ky vit ka qenë veçanërisht i rëndësishëm për qytetarët shqiptarë dhe komunitetet e tjera, të cilët prej vitesh kishin ndjerë mungesën e barazisë dhe përfaqësimit të denjë në këtë shtet.
“Themelet e ndryshimit i hodhëm këtë vit të parë të qeverisjes. Tani fillon ndërtimi i një shteti ligjor, të fuqishëm dhe të barabartë për të gjithë”, përfundoi Mexhiti.




