25.9 C
Skopje
E enjte, 6 Gusht, 2026

Mexhiti zgjedh Çairin, kush do ta zëvendësojë në qeveri?

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri aktual i Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për komunën e Çairit, duke kërkuar besimin qytetar për një mandat të katërt në këtë komunë që për të mbetet simbol i përballjeve politike, shkruan POPULLI.mk

Me këtë vendim, Mexhiti përqendron të gjitha energjitë e tij në Çair, aty ku do të përballet drejtpërdrejt me rivalin politik nga radhët e BDI-së, Bujar Osmani.

Shpallja e kandidaturës së Mexhitit ka hapur edhe pyetjen se kush do ta zëvendësojë atë në postin qeveritar. POPULLI.mk jozyrtarisht mëson se Bekim Sali mund të emërohet në këtë pozitë.

Sali vlerësohet si një profil i balancuar dhe adekuat për të mbajtur barrën institucionale që lë pas Mexhiti, veçanërisht në një periudhë kur roli i shqiptarëve në ekzekutiv është në fokus të opinionit publik.

Ndërkohë, ky zhvillim shënon një riorientim të qartë të prioriteteve politike për Mexhitin, i cili tani duket se e sheh rikthimin në Çair jo vetëm si sfidë personale, por edhe si përballje strategjike me strukturat e vjetra të BDI-së.

Në horizont, po konturohet një garë që pritet të jetë më shumë se thjesht lokale – një përballje me peshë simbolike për drejtimin e ardhshëm të politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut. / © POPULLI.mk