Absolutisht po mbahet llogari për përfaqësimin e drejtë. Unë personalisht jam garantues për atë. As si njeri, as si politikan, as si kryetar i Qeverisë nuk do të lejoj askush askë ta minimizojë apo majorizojë. Cilësia e njerëzve, pa dallim përkatësisë etnike, duhet të jetë kyçe dhe prioritet.Ky është themeli i vlerës kushtetuese dhe pjesë e rezolutave dhe konventave ndërkombëtare, porositi sot kryeministri Hristian Mickoski nga foltorja e Kuvendit.
Duke u përgjigjur në pyetjen që ia parashtroi deputeti Skender Rexhepi, Mickoski informoi se ligji për përfaqësim të drejtë është gati dhe së shpejti duhet të hyjë në procedurë kuvendore.
“Ligji është gati, i mora mendimet e fundit pozitive nga ana e Komisionit të venecies. T’ju përkujtoj, mendimi i Komisionit të Venecies, në pajtim me ndryshimet e fundit në procesin e inkuadrimit drejt BE-së dhe në pajtim me kërkesat e fundit për ndryshim të metodologjisë në procesin e inkuadrimit drejt BE-së, është faktor vendimtar. Rreth tyre veprohet dhe pres shumë shpejtë ky ligj të parashtrohet këtu para deputetëve. Shpresoj se do të miratohet unanimisht dhe shpresoj se deputetët nuk do t’i rrezikojnë proceset integruese evropiane të shtetit, përkatësisht do të lejojnë të implementohet ky ligj që duhet të sigurojë përfaqësim të drejtë”, theksoi kryeministri.
Ai edhe njëherë potencoi se për shkaqe parimore nuk i komenton vendimet e Gjykatës kushtetuese.
“Më vjen keq që me këmbëngulje po i etnizoni çështjet, përse nuk dolët nga kjo matricë edhe pas aq kohësh në skenën politike duke menduar se në atë mënyrë do të fitoni pikë, ndërsa tnë thelb, gjithnjë e më tepër bëheni personazhe të margjinalizuara. Dhe kjo, sipas meje, është porosi e keqe për votuesit tuaj. Mendoj se gjërat duhet t’i shihni më gjerësisht dhe më objektivisht”, iu përgjigj Mickoski Rexhepit.
