Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi se situata në Lindjen e Mesme mund të shkaktojë sfida ekonomike për shtetin. Sipas tij, konflikti mund të çojë në rritjen e çmimeve të burimeve energjetike, sidomos naftës dhe gazit. Megjithatë, Mickoski theksoi se Qeveria po shqyrton mundësi dhe masa me qëllim që të zbutet goditja ndaj standardit jetësor të qytetarëve.
“Ndoshta në sektorin e industrisë së naftës do të kemi disa presione dhe do të duhet të rritet çmimi, por së bashku me Ministrinë e Financave, po shqyrtojmë që të ulet pjesa e akcizës dhe e tatimeve, për të parë cilat janë mundësitë tona për ta zbutur goditjen ndaj standardit të qytetarëve”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Ekspertët thonë se, nëse përshkallëzimi vazhdon, vendi si ekonomi e varur nga importi mund të përballet me sfida ekonomike. Paralajmërojnë se është e mundur rritja e çmimeve të repromaterialeve, si dhe e produkteve të gatshme.
“Prej këtu mund të pritet që rrezikimi i rrjedhës së mallrave, logjistikës dhe të ngjashme ta rrisë pasigurinë në aktivitetet ekonomike. Ndërsa pasiguria, siç e dimë, është praktikisht armiku kryesor i bursave dhe i ekonomisë dhe e nxit rritjen e çmimeve”, u shpreh Aleksandar Ivanov, profesor dhe ekspert.
Sipas Ivanovit, ekonomia përveç se e lëviz botën zhvillohet edhe përmes të ashtuquajturave “gryka të ngushta”. Ai përmend Ngushticën e Hormuzit, Kanalin e Suezit, si dhe kalimin detar mes Indonezisë dhe Singaporit dhe Tajvanit. Sipas tij, të gjitha këto pika përfaqësojnë rrugë kyçe përmes të cilave transportohet energjia dhe mbyllja e mundshme e tyre mund të çojë në një krizë serioze ekonomike. /Alsat.mk
