AC Milani po rrit ndjeshëm përpjekjet për të transferuar mesfushorin e Klub Brizh, Ardon Jashari. Pas largimeve të mundshme nga ekipi si Emerson Rojal, Benaser, Adli, Okafor dhe Kolombo, drejtori sportiv Igli Tare po përgatit një ofertë të re për zviceranin 22-vjeçar, i cili është një nga objektivat kryesore të verës.
Sipas Mateo Moretos, presioni ndaj klubit belg është rritur dhe te Milani mbizotëron optimizmi për arritjen e marrëveshjes. Klub Brizh kërkon 40 milionë euro, përfshirë bonuset, ndërsa “kuqezinjtë” kanë qëndruar deri tani në shifrën 36-37 milionë euro.
Milani synon të afrojë ofertën me kërkesën e belgëve, duke shpresuar të mbyllë transferimin para nisjes së sezonit të ri të Jupiler League këtë fundjavë. Jashari, i shpallur lojtari më i mirë i sezonit të kaluar në Belgjikë, ka shprehur qartë dëshirën për t’u transferuar në Milano dhe nuk po merr parasysh asnjë ofertë tjetër.
Në rast marrëveshjeje, ai do të ishte përforcimi i radhës për skuadrën e Massimiliano Allegrit, pas nënshkrimit me Pervis Estupinanin.
