8.8 C
Skopje
E martë, 17 Nëntor, 2026

Ministri Ferati zhvillon takim me studentët e Fakultetit Juridik të UEJL-së

Ministri i Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, priti sot një grup studentësh të Fakultetit Juridik të Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), me të cilët diskutoi për nevojat dhe sfidat e të rinjve, si dhe për mundësitë e përfshirjes së tyre më aktive në proceset vendimmarrëse dhe në jetën shoqërore.

Gjatë takimit, ministri Ferati prezantoi angazhimet dhe prioritetet e Ministrisë në drejtim të avancimit të përfaqësimit të drejtë dhe gjithëpërfshirjes, duke theksuar se zëri i të rinjve duhet të jetë pjesë e proceseve ku ndërtohen politikat dhe merren vendimet që ndikojnë në të ardhmen e tyre.

Ai shprehu gatishmërinë për të dëgjuar nga afër kërkesat dhe propozimet e studentëve, si dhe për të kontribuar në gjetjen e zgjidhjeve konkrete për çështjet që i shqetësojnë ata. Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e dialogut të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit institucional.

Ministri nënvizoi se përtej arritjeve të deritanishme, sfida e përbashkët mbetet krijimi i mundësive të barabarta, avancimi i cilësisë së arsimit dhe ndërtimi i një shoqërie ku të rinjtë kanë hapësirë dhe mundësi reale për të kontribuar.

Ministri Ferati i inkurajoi studentët që të vazhdojnë me përkushtim studimet dhe të investojnë në zhvillimin e tyre profesional, duke u përgatitur për sfidat e tregut të punës dhe për përgjegjësitë që i presin në profesionet juridike, si juristë, avokatë, noterë, përmbarues, prokurorë dhe gjykatës.

Një ndër çështjet e ngritura nga studentët ishte edhe provimi i jurisprudencës. Ministri Ferati theksoi se kërkesat e tyre meritojnë trajtim serioz dhe konstruktiv, duke siguruar se do të angazhohet për dialog dhe bashkëpunim me institucionet përkatëse, me qëllim të shqyrtimit të mundësive për adresimin e tyre.