Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Fatmir Limani, ka prezantuar rezultatet e punës së tij në drejtim të përmirësimit të shërbimeve sociale, kujdesit për fëmijët dhe përfaqësimit të drejtë të komuniteteve në institucionet shtetërore, informon POPULLI.mk
Sipas tij, gjatë mandatit janë realizuar mbi 150 punësime në Qendrat për Punë Sociale, duke rritur kapacitetin për ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët. Në sektorin e arsimit parashkollor janë marrë mbi 100 vendime për kopshtet e fëmijëve, duke garantuar kujdes më të mirë për më të vegjëlit.
Një prej lajmeve më të mira për Strugën, tha Limani, është se 15 edukatore dhe përgdhelëse të kopshtit “8 Marsi” pas 5 deri në 16 vite pasigurie në punë, më në fund kanë marrë kontrata të përhershme.
Në kuadër të përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore, ministri theksoi se 8 shqiptarë janë përfshirë në ekipin e Projektit të Bankës Botërore, ndërsa numri i këshilltarëve shtetërorë shqiptar është rritur nga 1 në 5.
“Edhe komunitetet turke dhe rome janë përfaqësuar denjësisht në avancime dhe punësime, sepse ndryshimi është për të gjithë”, theksoi Limani, duke shtuar se synimi i tij është kalimi nga fjalët tek veprat dhe ndërtimi i institucioneve që qytetarët meritojnë. / © POPULLI.mk