8.8 C
Skopje
E enjte, 28 Mars, 2024

Ministria e Financave hesht, nuk jep sqarim për “Lojërat e fatit”

As deklaratë me shkrim e as deklaratë para kamerave. Disa ditë me radhë Ministria e Financave nuk gjen kohë për Televizionin Alsat. Ky dikaster nuk jep përgjigje nëse do t’i tërheqë nga procedura parlamentare ndryshimet në Ligjin për Lojërat e Fatit për të përgatitur ndryshime të reja. Edhe sot heshtje nga Ministria e Financave për pyetjet e televizionit Alsat për propozimin e Ligjit për Lojërat e Fatit pas reagimeve të kreut të shtetit Pendarovski dhe kolegut të tij nga Austria, për tërheqjen e ligjit dhe gjetjen e një zgjidhjeje të re ligjore si dhe në të njëjtën kohë të mos keqpërdoret flamuri evropian.

“Dyert e Ministrisë së Financave janë të hapura, por jo edhe për mediat. Tani më një muaj ata nuk prononcohen për asnjë media për të treguar nëse do të tërheqin Propozim Ligjin për lojërat e fatit, i cili tani për momentin është në procedurë parlamentare me yll evropian. Nuk dihet që pas reagimit të Presidentit, a do të bëhen ndryshimet përkatëse që mos të ketë polemika lidhur me këtë ligj”, raporton Adnan Qaili, gazetar.

Propozim-ndryshimet për Ligjin e Lojërave të Fatit janë dorëzuar në Kuvend para më shumë se një muaji. Sipas informacioneve të Alsat, ndryshimet hapin rrugë hyrjes së një kompanie nga Serbia në këtë biznes. Për momentin nuk ka informacione nëse ligji i propozuar do të tërhiqet pasi Arbër Ademi, i cili është kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane, gjithashtu nuk i përgjigjet thirrjeve të televizionit Alsat. Pendarovski në takim me kolegun e tij austriak Van der Belen, porositi që të mos keqpërdoret flamuri evropian gjatë miratimit të ligjeve kaq të ndjeshme. Sipas presidentit austriak, është e nevojshme që Kuvendi i Maqedonisë të gjejë rrugën e duhur. Ai theksoi se zgjidhja duhet të jetë sipas standardeve evropiane dhe që flamuri i BE-së të mos përdoret për këtë ligj. Pendarovski, nga ana tjetër, propozoi që të organizohen debate publike për këtë ligj me qëllim që të arrihet zgjidhje e pranueshme për të gjitha palët e interesuara.

Të ngjajshme

Të fundit