27.8 C
Skopje
E enjte, 19 Qershor, 2025

“Modulari”, “Llaskarca” e “Besa Trans”, Mickoski: Organi i akuzës të mos i fshehë fajtorët e vërtetë të këtyre tragjedive

Kryeministri Hristijan Mickoski e ftoi Prokurorinë që t’i rihapë dhe rishqyrtojë çështjet për tragjeditë e “Spitalit Modular”, “Llaskarcën” dhe “Besa Trans”, të cilët siç shprehet ai, janë harruar nga organi i akuzës. Dyshimet e kreut të Qeverisë janë se Prokuroria në këtë mënyrë po mbron LSDM-në dhe BDI-në dhe për këtë po i fsheh fajtorët e vërtetë të këtyre tragjedive, që u morën jetën gjithsej 75 personave.

“Unë me të vërtetë e ftoj Prokurorinë Publike me zell të merret me këto raste. Pasi ata thanë që do të merren edhe me këto raste, por shoh disi sikur i kanë harruar, nëse ndoshta kjo është mënyra që të revanshohen ndaj pronarëve politik të tyre të vërtetë nga LSDM dhe BDI, pasi i fshehin kryerësit e vërtetë dhe të gjithë fajtorët të cilët kanë kontribuar që të ndodh Spitali Modular i cili është objekt shtetëror, për shkak të dyshimit të bazuar për lëshime në institucione ka ndodhur Llaskarca, Besa Trans e kështu me radhë”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.

Këto komente, Mickoski i bëri duke reaguar ndaj akuzave thuajse të përditshme të LSDM-së opozitare për ndërhyrje në hetimin e Prokurorisë, lidhur me tragjedinë në klubin e natës “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 62 persona.

“E paralajmërojmë Mickoskin që t’i largojë kthetrat partiake nga prokuroria dhe gjyqësori. Nuk do t’i mbrosh personat tuaj dhe ta fshehësh të vërtetën, pasi që e dimë qëllimi. Hetimi tregon lidhje të drejtpërdrejtë mes tragjedisë në “Puls” dhe udhëheqjen më të lartë të VMRO-DPMNE-së dhe do t’i publikojmë të gjitha të dhënët nga e para e deri tek e fundit”, tha Simona Cvetanoski, anëtare e Komitetit Ekzekutiv të LSDM-së.

Megjithatë, kryeministri thekson se hetimin për Koçanin e udhëheqë Lupço Kocevski, i cili është zgjedhur në Kuvend nga deputetët e BDI-së dhe LSDM-së. Opozitarja BDI paraprakisht kërkoi komision të posaçëm kuvendor për Koçanin, pasi edhe ata vlerësojnë se pushteti po ndërhyn në hetim.

Megjithatë, shumica parlamentare refuzoi kërkesën e tillë nën arsyetimin se nëse formohet komision për Koçanin, duhet të ketë komision edhe për “Modularin”, “Llaskarcën” e “Besa Transin”. /Alsat.mk

Të ngjajshme

Të fundit