Siç kishin premtuar, studentët shqiptarë në Tiranë i dhanë mbështetjen e tyre kolegëve të Shkupit, raporton ABC. Ata u shfaqën të bashkuar për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, gjuhën shqipe dhe trajtimin e tyre me dinjitet si element shtetformues.
Për ‘Ballkan Update’ organizatorët në Tiranë thanë së do të jenë me ta deri në fund të misionit të tyre.
Në protestë nuk munguan edhe studentë nga diaspora.
Joni kishte ardhur nga Lyon i Francës për të treguar solidaritet me kolegët e tij.
Besar Sejdiu, kryetar i unionit të studentëve në universitetin Nënë Tereza në Shkup u emocionua nga pritja e kolegëve, ndërsa tregon se familja e tij, e mbushur me ushtarë të luftës çlirimtare ndihet krenare për qëndrimin e tyre.
Marshimi i studentëve me flamuj kuq e zi, atë të UÇK dhe Kosovës përfundoi përpara dyerve të Ambasadës së Maqedonisë së Veriut me thirrjet “mos ma përktheni ëndrrën” dhe së bashku për “gjuhën shqipe”.
Nismëtarët e lëvizjes studentore për realizimin e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut, më 23 maj lajmëruan protesta studentore edhe në Tiranë e Prishtinë, për të vazhduar pastaj përsëri në Shkup.
Kujtojmë se në protestën e 18 majit, studentët marshuan me pankarta në duar dhe brohoritje për barazi gjuhësore, ndërsa një pjesë e tyre deklaruan se nuk do të ndalen derisa të sigurohet e drejta për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Kjo ishte hera e dytë që studentët protestuan në Shkup, kurse pas këtyre protestave, pushtetarët e VLEN-it filluan të premtojnë zgjidhje, por pa caktuar afate.
Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb.mk alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj.
