Vendet e Ballkanit Perëndimor, nëse duan të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian, duhet të jenë në përputhje me politikat e BE-së, që nënkupton vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, tha ministri i Jashtëm kroat Gordan Grlic Radman.
“Nëse vendet e Ballkanit Perëndimor vendosin të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, ata duhet ta ndjekin me përpikëri dhe të jenë në përputhje me politikat e BE-së. Është e pamundur të ulesh në dy karrige. Të gjitha vendet duhet të dënojnë agresionin rus, të vendosin sanksione, të tregojnë solidaritet me Ukrainën dhe të promovojnë stabilitetin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”, tha Grlic Radman në panelin “Ballkani Perëndimor: Lëvizja e re Euro-Atlantike” në kuadër të Forumit në Dubrovnik.
Ai vuri në dukje se “interesi kombëtar i Kroacisë është për një fqinjësi e sigurt dhe të qëndrueshme” dhe përsëriti se Kroacia mund të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor me “dije, ekspertizë dhe përvojë” në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
