9.8 C
Skopje
E martë, 3 Dhjetor, 2024

Mustafa: Me Kurtin si kryeministër edhe 65 mijë qytetarë do ta lëshojnë Kosovën!

Gjatë javës së kaluar, Lëvizja Vetëvendosje publikoi një video-incizim ku ndër të tjerash në të flitej për “shkatërrimin” 20 vjeçar të Kosovës.

E ilustruar me pamje, e zëra të shumtë, Vetëvendosje ishte munduar që të etiketoj emra të shumë ish-liderëve të vendit kinse si “shkatërrues të Kosovës”.

Ditë më vonë, Lëvizja Vetëvendosje realizoi edhe një video tjetër.

Në këtë video-incizim, ndër të tjerash ishin specifikuar biznese të shumta private të cilat funksionojnë në vend.

Po ashtu nga Vetëvendosje zgjodhën të flasin edhe për terminalet, duke akuzuar njerëz të shumtë për lidhje të tyre e për përfitime të miliona eurove.

“Por në Republikën e Kosovës terminalet në çdo cep të saj kanë qenë në pronësi private të lidhura ngushtë me politikën. 37 milionë euro i kanë përvetësuar për 1 vjet vetëm prej 10 Terminaleve. 370 milionë euro për 10 vjet prej këtyre Terminaleve. Ndërkaq tash Qeveria Kurti ka filluar kthimin e terminaleve në shtet prej nga do të përfitojë Republika”,thuhej ndër të tjerash nga VV.

E në të dyja këto video nuk u la pa u përmendur ish-kryeministri Isa Mustafa, apo familja e tij.

Ish-lideri i Lidhje Demokratike të Kosovës theksoi se Qeveria Kurti po sillet si e çakorduar.

Sipas Isa Mustafës, duket se Qeveria Kurti e ka humbur busullën dhe se nuk e di se a është në pozitë apo në opozitë.

“Ka fuqi për të qeverisur dhe për të zgjidhur probleme të qytetarëve, ndërkaq të gjithë energjinë e shpenzon në propagandë dhe sulme ndaj opozitës dhe qeverive të mëhershme. Kjo flet për kompleksin e inferioritetit ndaj qeverive të kaluara, duke mos arritur të krahasohet me asnjë parametër” deklaroi Mustafa.

Ish-kryeministri Mustafa tha gjithashtu se shantazhet me video, kërcënimet me Vetting e Byro staliniste për konfiskim shpërfaqin fytyrën e një qeverie jashtë kozmosit politik evropian, “por me pikëpamje dekadente njëpartiake”.

E sipas Mustafës sa i përket situatës ekonomike në vend, apo rritjes ekstreme të çmimeve dhe përballjes së qytetarëve me një krizë të paparë më herët me inflacionin e ekonominë në përgjithësi, kjo Qeveri ka rritje të importeve dhe varshmërise ekonomike nga Serbia.

Mustafa tha se këto janë pikërisht rezultatet ekonomike dhe demografike të “qeverisë së shpresës”.

“Sa i përket ekonomisë, kjo qeveri ka rritje të importeve dhe varshmërisë ekonomike nga Serbia dhe rritje të eksportit të qytetarëve të saj jashtë vendit, rreth 45 mijë këtë vit dhe priten edhe 65 mijë ta lëshojnë Kosovën vitin e ardhshëm. Këto janë rezultatet ekonomike dhe demografike të “qeverisë së shpresës”,tha Mustafa.

Ishin pikërisht këto video-incizime të publikuara nga Lëvizja Vetëvendosje të cilat u komentuan gjerësisht nga shoqëria civile, politikanë e ish-drejtues të vendit.

Videot janë parë si “propagandë” e Lëvizjes Vetëvendosje, e si të tilla u tha se po bëhen për shkak të mos punës së qeverisë.

Shumë prej tyre kanë deklaruar se Qeveria Kurti II për shkak të mos realizimit të shumë punëve të cilat kishin premtuar, tashmë po arsyetohet duke realizuar video të tilla si propagandë për të kaluarën, për individë të caktuar e për ish-liderë të Kosovës.

Duke mos dashur të dëgjojë këto kritika të shumta, kryeministri i vendit, Albin Kurti, zgjodhi që në mbledhjen e 100-të të Qeverisë së Kosovës foli për “ngritje ekonomike”, e sipas tij të arritura të larta të qeverisjen brenda 1 viti e gjysmë.

Kurti nuk u morë fare me këto kritika, por tha se qeverisja e tij po mundohet që të përmirësojë atë se çfarë është shkaktuar nga qeverisjet e kaluara. /Lajmi.net

Të ngjajshme

Të fundit