NATO filloi të hënën stërvitjet e saj ushtarake dyvjeçare në Arktik, këtë herë duke i kushtuar më shumë rëndësi rolit të civilëve në mbështetjen e ushtrisë, në një kohë tensionesh të larta në rajon për shkak të përpjekjeve të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për ta vënë Groenlandën nën kontrollin e SHBA-së.
Stërvitjet, të quajtura “Reagim i Ftohtë”, përqendrohen në mbrojtjen e rajonit të Arktikut Evropian, ku anëtarët e NATO-s, Norvegjia dhe Finlanda, kufizohen me Rusinë. Ato do të zhvillohen nga 9 deri më 19 mars dhe janë pjesë e misionit “Arctic Sentinel” të Aleancës së Atlantikut të Veriut për të forcuar praninë e saj në rajon, i cili u nis për të ulur tensionet me Trumpin mbi Groenlandën.
Këtë vit, rreth 25,000 trupa nga 14 vende – përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Danimarkën – do të marrin pjesë në ushtrimet, të cilat do të zhvillohen kryesisht në veri të Norvegjisë dhe Finlandës. Shtetet e Bashkuara pritet të dërgojnë rreth 4,000 trupa.
Norvegjia e ka shpallur vitin 2026 vitin e “mbrojtjes totale”, duke theksuar përgatitjen e qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve shtetërore për t’u përballur me luftërat dhe fatkeqësitë e tjera.
“Ne duam që ushtria jonë të bëjë punën e saj, të mbrojë vendin. Për ta bërë këtë, ne mbështetemi tërësisht në faktin se shumica e aspekteve të shoqërisë do të vazhdojnë të funksionojnë normalisht”, tha për Reuters gjeneralmajor Lars Lervik, shefi i shtabit të ushtrisë norvegjeze .
“Kjo është gjithashtu një mundësi për të testuar konkretisht në cilat fusha qytetarët mund të mbështesin drejtpërdrejt përpjekjet ushtarake, për shembull shërbimet shëndetësore që merren me një numër më të lartë se zakonisht të ushtarëve të plagosur, norvegjezë ose nga forcat e tjera aleate”, shtoi ai.
