Ajri i ndotur ka impakt negativ në rëndimin e gjendjes shëndetësore, sidomos te fëmijët, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike.
Nga ndotja është e atakuar e gjithë popullata, mirëpo pjesa më e ndijshme janë fëmijët. Ata janë të goditur sidomos në sezonin e dimrit, kur niveli i ndotjes është më i lartë për shkak të ndryshimit të kushteve atmosferike dhe për shkak se viruset sezonale janë në kulmin e tyre, thonë mjekët.
“Arsyeja se pse preken fëmijët është se ata kanë një organizëm në zhvillim e sipër, kur frymëmarrjet i kanë më të përshpejtuara dhe kanë nevojë më shumë sesa të rriturit për ajër të pastër. Ndotja ndikon keq edhe në organet e tjera mirëpo fokusi është në mushkëri, ato klinikisht janë manifestuar me koll të shtuar produktiv, me temperatura të larta, ethe, plogështi dhe lodhje.”, tha Mevlane Islami, pediatre.
Ndotja ka mbushur plot repartet pediatrike dhe spitalet e fëmijëve.
“Për shkak të ndotjes së ajrit ditëve të fundit kemi pasur një rritje të fluksit të pacientëve të cilët kanë ardhur në ambulancën tonë. Diku 20-30 përqind ka pasur pacientë kanë vizituar mjekët e tyre amë enkas nga simptomet e gripit sezonal dhe nga simptomet për arsye të mjegullës dhe ndotjes enorme që e kishim të ajrit.”, tha Bekim Ismaili, mjek.
Mjekët rekomandojnë që të kufizohen lëvizjet në mëngjes dhe në mbrëmje ku piku i trafikut është më i lartë dhe ajri është më i ndotur, të qëndrojnë sa më shumë në ambiente të mbyllura, të marrin sasi më të shtuar të lëngjeve e të hanë ushqime të shëndetshme. Mjekët gjithashtu apelojnë që në mënyrë urgjente të përmirësohet cilësia e ajrit dhe të krijohet një sistem më gjithpërfshirës për monitorimin e ajrit.
