Nën kujdesin e Zyrës së Këshilltarit për Çështjet Fetare pranë Ambasadës së Türkiyes në Tiranë është organizuar Mbrëmje Kuranore, me rastin e Çlirimit të Mekës dhe fillimit të Tre Muajve, raporton Anadolu.
Në programin e organizuar në Xhaminë Paskuqan 2, në Njësinë Administrative Paskuqan në Qarkun e Tiranës, ishin të pranishëm këshilltari për çështjet fetare pranë Ambasadës së Türkiyes në Tiranë, dr. Adem Gerlegiz, këshilltari për çështjet fetare pranë Ambasadës turke në Shkup, Mustafa Bodur, kryetar i Këshillit të Kontrollit të Mus’hafëve dhe Kiraeteve pranë Dijanetit, dr. Hafiz Osman Şahin, përfaqësues të tjerë të institucioneve turke dhe të ftuar të tjerë.
Këshilltari për çështjet fetare pranë Ambasadës turke në Shkup, Mustafa Bodur, gjatë programit foli rreth rëndësisë së programit dhe gjërave që cilësohen si mëshirë.
Bodur tha se e para gjë Allahu flet për shiun dhe e cilëson atë mëshirë. “Kjo mëshirë që është shiu Allahu nuk e ndalon atë për asnjë prej njerëzve të tij në tokë. I përfshin të gjithë kjo mëshirë e Allahut të Madhëruar që është shiu. Allahu i Madhëruar gjithmonë me mëshirën e tij që është shiu i ka përfshirë dhe do t’i përfshijë deri në kiamet të gjithë njerëzit nën këtë mëshirë, pa dallim besimi”, u shpreh ai.
Bodur u shpreh se gjëja e dytë që Allahu e cilëson si mëshirë në Librin e tij Famëlartë është edhe i dërguari i tij, Muhamedi. Ai theksoi se i dërguari i Allahut, Muhamedi, është mëshirë për muslimanët dhe për ato që mund të bëhen besimtarë.
Bodur shtoi se gjëja e tretë që Allahu e cilëson si mëshirë është dhe vetë Kurani, sipas tij, ku thotë Allhau i Madhëruar “dhe ne e kemi zbritur Kuranin si shërim dhe mëshirë”.
Në një deklaratë për Anadolu, këshilltari për çështjet fetare pranë Ambasadës së Türkiyes në Tiranë, Gerlegiz, tha se në program pati një pjesëmarrje goxha të madhe nga banorët e Paskuqanit dhe gjithashtu nga zona të tjera të Tiranës. “Shpresojmë që duke u zgjidhur disa çështje në Shqipëri shërbimet tona për muslimanët në Shqipëri do të shtohen akoma më shumë. Qëllimi ynë këtu në Shqipëri, si Kryesi e Çështjeve Fetare të Türkiyes, është që ne të japim kontributin tonë në shërbimet fetare në Shqipëri”, tha Gerlegiz.
Gjatë programit u lexua Kuran nga dr. Hafiz Osman Şahin, muezinët në Xhaminë e Madhe Ajasofia, Şükrü Asileren dhe Rıdvan Akbaş, si dhe Numan Akbaş, muezin në Xhaminë Fenerbahçe.
Burimi / AnadoluAgency
