8.8 C
Skopje
E hënë, 31 Mars, 2025

NË VEND TË URIMIT…

Derisa tik-taku i orës po e prenë kohën me tehun e saj, momenti emocionues dhe rigjallërues i zemrës së besimtarit sa vjen e afrohet, pasiqë është në pritje të mysafirit madhështor të vitit, Muajit të bekuar të Ramazanit.

Besimtar i nderuar, dije se ky muaj vjen me begati të panumërta për ne dhe sjell në vete harmoni shpirtërore, familjare dhe shoqërore. Ndonëse stinët e vitit ndryshojnë, Ramazani mbetet gjithmonë pranvera e zemrës së besimtarit që i sjell freski me faljen e mëkateve dhe pranimin e lutjeve.

Prej urtësisë së Allahut është veçimi i krijesave, vendeve dhe kohërave, që do të thotë se në mesin e krijesave Allahu e veçoi Muhamedin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, në mesin e vendeve e veçoi Mekën, ndërsa në mesin e kohërave e veçoi muajin Ramazan prej gjithë vitit, duke e karakterizuar me agjërim nga imsaku deri në perëndimin e diellit.

Dije o besimtar i nderuar se agjërimi nuk nënkupton vetëm abstenimin nga ushqimi, pija dhe marrëdhëniet intime të një çifti bashkëshortor, këto janë një pjesë e agjërimit. Për t’u konsideruar agjërimi i plotë dhe të arrihet shpërblimi i tij, nevojitet edhe ndryshimi rrënjësor në vetet tona.

Tekstet fetare na mësojnë se gjithë qenia njerëzore në fakt duhet të agjërojë, syri duke ulur shikimin, veshi duke mos i dëgjuar gjërat e kota, gjuha duke mos folur fjalë të këqia, gjymtyrët duke mos vepruar gjëra të ndaluara, e kështu me radhë.

Ramazani është një cikël edukativo-arsimor në mënyrë intensive ku besimtari kalitet, integrohet dhe përmirësohet nga dita në ditë duke shtuar adhurimin ndaj Allahut, zemërgjërësinë, bamirësinë ndaj skamnorëve, raportet e mira familjare e farefisnore, madje edhe buzëqeshja ndaj vëllaut besimtar konsiderohet sadaka në vete. Gjitha këto padyshim se ngërthejnë shpërblimin e Allahut ku zemrat tona shfaqin mëshirë ndaj njëra-tjetrës, e që finalja është të na kaplon Mëshira e të Gjithëmëshirshmit e cila e ka tejkaluar edhe hidhërimin e Tij.

Ky muaj karakterizohet si Muaji i Kur’anit në të cilin Allahu i Madhëruar filloi zbritjen e Fjalëve të Tij që nga shpella Hira, për të dalur pastaj ato Fjalë ta ndriçojnë universin. Andaj angazhimi jonë me Librin e Allahut në Ramazan duhet të jetë i vazhdueshëm nga dita në ditë, e që preferenca është të lexohet i tëri brenda muajit së paku një herë, ndryshe e njohur si hatme e Kur’anit.

Arritja e Ramazanit është begati madhështore dhe për këtë flet hadithi profetik i transmetuar nga Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe shpresë, do t’i falet mëkatet e mëhershme.” [Buhariu]. Sa përgëzim i madh është falja e mëkateve për ty që do e agjërosh këtë muaj duke shpresuar shikimin në Fytyrën e Allahut.

Vëlla dhe motër i/e nderuar, dije mirë se Allahu nuk ka nevojë për agjërimin tonë, përkushtimin dhe lodhjen tonë brenda dhe jashtë Ramazanit, mirëpo fshehtësia e këtij muaji për neve është se Allahu dëshiron prej neve ta arrijmë devotshmërinë, asbtu siç e përmend Ai në ajetet e agjërimit duke thënë “…me qëllim që të bëheni të devotshëm”. Nëpërmjet devotshmërisë ne mund të jemi kandidat potencial për faljen e mëkateve dhe shpërblim me Xhenet, në dashtë Allahu.

Agjërues i dashur, vetë fakti se agjërimi i Ramazant është brenda një periudhe njëmujore, jep të nënkuptojmë se ka fillimin dhe mbarimin e tij. Allahu këto ditë i quajti në Kur’an “ditë të numëruara”, e që çdo ditë e Ramazanit është e vlefshme, madje fundi i tij kurorëzohet me një natë të veçantë siç është Nata e Kadrit, vlera e së cilës është më e madhe se 1000 muaj, thënë tekstualisht, por vetëm Allahu e di se sa në të vërtetë ka vlerë madhështore kjo natë brenda dhjetë netëve të Ramazanit e cila cakton ecurinë e jetës sonë në vazhdim se në çfarë kahje do të jemi.

I dashur besimtar, me fundin e këtij shkrimi dua edhe njëherë ta rikujtoj veten dhe gjithësecilin nga ju që në vend të angazhimit të përgatitjes së tryezave dhe ushqimeve të llojllojshme në iftar, në vend të mbushjes së frigoriferave me produkte ushqimore, t’i mbushim zemrat me besim, solidaritet, mëshirë, adhurim dhe angazhim për ta filluar dhe përfunduar Ramazanin në mënyrën më të mirë të mundshme.

Allahu na e lehtësoftë, na i pranoftë lutjet dhe adhurimet.

–Amir Shabani–

Të ngjajshme

Të fundit