6.8 C
Skopje
E martë, 15 Tetor, 2024

Netanyahu ‘tërhiqet’, shqyrtohet mundësia e hyrjes së ndihmave në Gaz*a

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të hënën se Izraeli do të shqyrtojë mundësinë për “pauza të shkurtra taktike” në luftimet në Gazë, për të lehtësuar hyrjen e ndihmave humanitare ose për të lejuar daljen e pengjeve të mbajtura nga militantët e Hamasit.

Por udhëheqësi izraelit përsëriti refuzimin e vendit të tij për një armëpushim të plotë nëse nuk lirohen të gjithë personat që mbahen peng nga Hamasi.

Zoti Netanyahu i bëri komentet në një intervistë për televizionin amerikan ABC gjatë së cilës u pyet se kush duhet ta qeverisë Gazën pas përfundimit të luftimeve.

“Unë mendoj se Izraeli do të ketë për një periudhë të pacaktuar përgjegjësinë për sigurinë e përgjithshme, sepse e kemi parë se çfarë ndodh kur nuk e kemi ne atë përgjegjësi,” tha zoti Netanyahu.

Pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, që shkaktoi vdekjen e 1,400 vetëve, Izraeli filloi një ofensivë ajrore dhe tokësore kundër Hamasit, që Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë një organizatë terroriste. Hamasi mori peng rreth 240 personave.

Bombardimet izraelite kanë vrarë të paktën 10,000 në Gaza, sipas autoriteteve shëndetësore të enklavës.

Si Izraeli ashtu edhe Hamasi e kanë kundërshtuar presionin ndërkombëtar në rritje për një armëpushim.

I pyetur nëse ai ishte i hapur për një pauzë humanitare në Gaza, Netanyahu tha: “Nuk do të ketë armëpushim, nuk do të ketë armëpushim të përgjithshëm në Gaza pa lirimin e pengjeve tona”. Ai shtoi: “Për sa i përket pauzave të shkurtra taktike – një orë këtu, një orë atje – ne i kemi pasur ato edhe më parë. Besoj se do të veprojmë në përputhje me rrethanat, në mënyrë që të mundësojmë hyrjen e mallrave humanitare, ose daljen e pengjeve”.

Ndërkohë gjatë telefonatës së tij të hënën me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, Presidenti Joe Biden nuk arriti një marrëveshje mbi nevojën për një pauzë humanitare të luftës Izrael-Hamas.

Uashingtoni ka bërë trysnu për pauza në konflikt për të lejuar hyrjen e ndihmave. Por ashtu si Izraeli, edhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nga një armëpushim i plotë do të përfitonte vetëm Hamasi.

Presidenti Joe Biden diskutoi për pauza të tilla dhe mundësinë e lirimit të pengjeve në një telefonatë me zotin Netanyahun të hënën, duke përsëritur mbështetjen e tij për Izraelin, por duke theksuar njëkohësisht se duhet të mbrojë civilët, tha Shtëpia e Bardhë. /VOA

Të ngjajshme

Të fundit