Nga e hëna, 55 autobusë privatë do të rikthehen në rrugët e kryeqytetit, konfirmoi kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, pas takimit me tre përfaqësues të kompanive private të transportit.
Deri në fund të vitit pritet të aktivizohen edhe 20 mjete të tjera, ndërsa përmes Qeverisë është planifikuar blerja e 80 autobusëve të rinj për Ndërmarrjen e Transportit Publik (JSP-Skopje) deri në mars të vitit 2026.
“Ndërsa qytetarët vonoheshin për në punë dhe fëmijët ngrinin nëpër stacione, dikush ka mbushur xhepat me miliona gjatë tre viteve të fundit. Për këtë duhet të ketë përgjegjësi,”
deklaroi Gjorgjievski, duke paralajmëruar hetim për tenderë të dyshimtë dhe keqpërdorime në furnizimin me pjesë rezervë.
Përfaqësuesit e transportuesve privatë theksuan se borxhi i Qytetit ndaj tyre arrin në rreth 180 milionë denarë. Së bashku me udhëheqjen e re të JSP-së, ata do të punojnë për ristrukturimin e linjave dhe përmirësimin e orareve të qarkullimit.
“Transportuesit privatë janë pjesë thelbësore e sistemit të transportit publik në Shkup. Do të fusim autobusë ekologjikë dhe linja të reja, në mënyrë që qytetarët të kenë shërbim të rregullt dhe të sigurt,”
tha Jovica Zafirovski, përfaqësues i shoqatës së transportuesve.
Gjorgjievski u bëri thirrje institucioneve kompetente të hetojnë keqmenaxhimin e buxhetit të qytetit, duke theksuar se disa nga autobusët e rinj, me kilometrazh “zero”, nuk janë vënë kurrë në përdorim, por janë çmontuar për pjesë rezervë.
Ky hap shënon fillimin e konkret të stabilizimit të transportit publik në Shkup, pas një krize shumëvjeçare me mungesë autobusësh dhe linja të parregullta.
