-2.2 C
Skopje
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Nga urrejtja deri tek bashkëjetesa: Një thirrje për të parandaluar propagandën e urrejtjes në Ballkan

Nga urrejtja deri tek bashkëjetesa: Një thirrje për të parandaluar propagandën e urrejtjes në Ballkan

Shkruan: Hamzi Ibraimi

Në një shoqëri ku diversiteti kulturor dhe fetar duhej të ishte një pasuri shumë e çmuar, për fat të keq po ndodh e kundërta.

Siç e dimë, në disa shtete të Ballkanit, veçanërisht në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, këto vende po përballen me përhapjen e shpejtë të islamofobisë dhe turkofobisë.

Për fat të keq, këto forma të urrejtjes, të kamufluara pas justifikimeve ideologjike, nuk synojnë asgjë tjetër përveçse përçarje mes komuniteteve.

Këto veprime, për fat të keq, po krijojnë një të ardhme të rrezikshme për rajonin.

Çdokush prej nesh duhet t’i bëjë vetes një pyetje: Çfarë dhe kush po qëndron prapa këtij fenomeni që po rritet kaq shpejt në këto tre shtete ballkanike?

Për fat të keq, e gjithë kjo urrejtje qëndron në përpjekjet për të krijuar ndarje dhe urrejtje mes shqiptarëve myslimanë, të krishterëve dhe ortodoksëve, duke tentuar të shkaktojnë një armiqësi që mund të çojë deri tek më e keqja — vëllavrasja.

Propaganduesit e këtyre ideve po shfrytëzojnë çdo mundësi për të përçuar mesazhe që promovojnë frikën dhe urrejtjen.

Ndërsa synimi i këtyre propaganduesve është ta portretizojnë Islamin si një fe të dhunës dhe terrorit.

Fatkeqësisht, disa të rinj dhe të reja po ndjekin këto rrugë të urrejtjes dhe mendojnë se duke promovuar këto ide do të arrijnë rritje në karrierat e tyre dhe ndikim në shoqëri. Por këta të rinj dhe të reja, me ose pa vetëdije, po sjellin pasoja për prishjen e harmonisë sociale.

Liderët e këtyre shteteve, si Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, duhet që të ndërmarrin masa të menjëhershme për të parandaluar përhapjen e islamofobisë dhe turkofobisë.

Të gjithë e dimë se përmes përhapjes së turkofobisë, ata synojnë të sulmojnë Islamin në mënyrë indirekte.

Pyetja tjetër që lind është: Pse dhe cili është qëllimi real i përhapjes së kësaj fushate kundër Islamit dhe Turqisë?

Për fat të keq, ky narrativ nuk është i ri!

Edhe historia na tregon se ndasitë fetare kanë qenë shpesh mjetet kryesore të atyre që kërkojnë përçarjen dhe vëllavrasjen.

EDhe sot e kësaj dite, kjo taktikë po përdoret në mënyrë aktive nga individë dhe grupe të caktuara që kërkojnë të promovojnë agjendat e tyre përmes urrejtjes dhe frikës.

 

 

Roli i medias në Ballkan në përkrahjen e grupacioneve islamofobe dhe turkofobe!

Media duhet të luajë një rol shumë të rëndësishëm në përhapjen e bashkëjetesës ndërkulturore dhe fetare. Por për fat të keq, në Kosovë, Shqipëri dhe në disa raste në Maqedoninë e Veriut, disa media të caktuara po bëjnë avokaturën e këtyre grupacioneve që po përhapin urrejtje mes shqiptarëve myslimanë, të krishterë dhe ortodoksë.

Për fat të keq, disa media të papërgjegjshme dhe të njëanshme po kontribuojnë në përhapjen e islamofobisë dhe turkofobisë përmes raportimeve sensacionaliste, përdorimit të gjuhës së urrejtjes dhe theksimit të ngjarjeve të izoluara që e portretizojnë Islamin si fe të dhunës dhe Turqinë si një shtet agresor.

Këto media po krijojnë një atmosferë frike dhe dyshimi, ku shqiptarët myslimanë që kanë lidhje kulturore me Turqinë shihen si “të tjerë” apo si kërcënim për shoqërinë në shtetet ballkanike.

Por të gjithë ne, së bashku me mediat e mirëfillta, duhet të parandalojmë këtë situatë që po krijohet dhe po promovohet urrejtja ndërvëllazërore.

Ne nuk kemi nevojë për konflikte. Ne kemi nevojë për bashkëjetesë, për harmoni dhe dashuri.

Andaj, të gjithë së bashku të themi:

Ndalo përhapjen e islamofobisë! Ndalo përhapjen e turkofobisë! Ejani që të jetojmë në harmoni, ejani të jetojmë së bashku vëllezërisht!

Të ngjajshme

Të fundit