Përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore po kthehet sërish në temë debati, mes zhgënjimit të qytetarëve dhe akuzave politike. Ndërkohë që koalicioni VLEN është pjesë e qeverisë së re, zërat kritikë nga baza shqiptare po shtohen nga dita në ditë, informon POPULLI.mk
Shqetësimi më i madh mbetet punësimi. Sipas raportimeve nga terreni dhe ankesa të shumta në opinion, në institucionet shtetërore po vijon një praktikë e vjetër diskriminuese, për çdo 20 maqedonas të punësuar, shqiptarët përfaqësohen me vetëm 1 ose 2 veta – e në disa raste asnjë. Kjo ka ngritur pikëpyetje serioze mbi rolin dhe ndikimin real të përfaqësuesve shqiptarë në këtë qeveri të re.
Nga ana tjetër, BDI tashmë në opozitë, ka intensifikuar akuzat kundër VLEN-it, duke i quajtur shqiptarët në këtë qeveri “ZERO” në aspektin e vendimmarrjes dhe ndikimit. “VLEN është aty vetëm për dekor,” thonë përfaqësues të BDI-së, duke hedhur akuza për mosmbrojtje të interesit shqiptar dhe për mungesë të politikave të barabarta për qytetarët shqiptarë.
Anashkalimi i shqiptarëve në emërime, pozita drejtuese dhe vendimmarrje është një çështje që po krijon pakënaqësi të thellë në mesin e shqiptarëve, të cilët kishin pritur më shumë nga një qeveri që u prezantua si reformuese dhe gjithëpërfshirëse.
A do të dëgjohet kjo revoltë? Dhe më e rëndësishmja, a do të ketë reflektim dhe ndryshim real në qasjen ndaj përfaqësimit të shqiptarëve?
Koha do ta tregojë, por zemërimi është i dukshëm, dhe heshtja ndaj kësaj çështjeje rrezikon të kthehet në zhgënjim të thellë politik. / © POPULLI.mk