Pak ditë më parë u nda nga jeta arsimtarja e parë shqiptare e gjuhës angleze në Kosovë, patriotja dhe mbesa e “Heroit të Popullit”, Isa Boletini, Rabije Murati Rrahmani.
Pas një sëmundjeje të shkurtër, nën mbikëqyrjen e djalit të saj Asdrenit dhe kujdesit të jashtëzakonshëm nga vajzat e një familjeje të shquar patriotike në Mitrovicë, familjes Suhodolli, motrat Teuta Suhodolli Berisha dhe Afërdita Suhodolli Buqinca, si dhe Aida Breca dhe Merita Zymberi nga Prishtina, të cilat së bashku me Asdrenin u përkujdesën për Rabijen deri në momentin e fundit të jetës së saj.
Rabije Murati Rrahmani u nda nga jeta në qetësi, në shtëpinë e saj në Londër, më datë 19.09. 2024. Fill pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, familjes së Iliaz dhe Shehide Muratit do t’i vinte në jetë Rabija, fëmija e katërt e tyre.
Rabije Murati Rrahmani lindi në Mitrovicë, më 27 shtator 1944. Fëmijët e tjerë më të rritur të tyre ishin Minire Murati Quna (gjallë) Remzi Murati dhe Bahrie Murati Polloshka (të ndjerë). Nëna e katër fëmijëve të vegjël Shehide Boletini Murati ishte e bija e “Heroit të Popullit” Isa Boletini, ndërsa i ati i tyre Iliaz Murati ishte nip i patriotit dhe “Heroit të Popullit”, Hasan Ferri.
Kur Rabija, fëmija më e vogël e familjes ishte vetëm një vjeç, i ati Iliaz Murati ndërroi jetë në një moshë tepër të re. Atë kohë, në shtetin që do të quhej Jugosllavi po instalohej regjimi komunist. Pas vdekjes së bashkëshortit, Shehidja dhe fëmijët e saj kaluan shumë peripeci në jetë dhe një periudhë të vështirë politike-ekonomike.
Me gjithë represionin serb, nëna e re i rriti dhe edukoi fëmijët me shumë mund e sakrifica, por nën frymën e atdhedashurisë, patriotizmit, humanizmit dhe dashurisë për njerëzimin. I njëjti regjim u instalua edhe në Shqipëri, një pjesë e konsiderueshme e familjes së tyre jetonin në Shqipëri, përndjekjet e vrasjet politike vijuan në të dyja anët e kufirit. Pas humbjes së bashkëshortit, Shehide Boletini Murati do të ballafaqohej me sfida të tjera siç ishin persekutimet dhe internimet e vëllezërve të saj nga diktatura komuniste.
Me absurditetin më të madh, ky sistem ishte po aq i fuqishëm dhe i pamëshirshëm edhe në Shqipëri. Siç ishte atentati ndaj djalit të Isa Boletinit në Shkodër, Adem Boletini nga qeveria komuniste, respektivisht nga Vasil Shanto thotë në një intervistë të saj Rabije Murati Rrahmani për gazetën “Albania Post” në Londër. Si dhe vrasjet, burgosjet dhe internimet e djemve të tjerë të Isës, nipave e mbesave të tij nga forcat sllavo-komuniste në Kosovë dhe Shqipëri. Arsyeja e këtyre persekutimeve ishte sepse Isa Boletini kishte luftuar për bashkimin e trojeve shqiptare dhe njëri apo tjetri më shumë nga djemtë e Isa Boletinit nuk pajtoheshin me idetë komuniste si dhe me ndarjen e trojeve shqiptare, për të cilat familja dhe mbarë populli kishin sakrifikuar aq shumë.
Nënë Shehidja kontribuoi në rrugëtimin, shkollimin, integritetin dhe pavarësinë personale të fëmijëve të saj. Ashtu si edhe i ati Isa Boletini, i cili edhe pse nuk ishte i shkolluar, e njihte rëndësinë dhe vlerën e arsimimit për brezat e rinj. Për këtë qëllim hapi dhe financoi në Boletin dhe fshatrat rreth Mitrovicës disa shkolla, ku fëmijët të ndiqnin mësimet e gjuhës shqipe duke bartur edhe shpenzimet e mësuesve. Rabije Murati Rrahmani u diplomua në Shkallën e parë në Fakultetin Filozofik për Letërsi Angleze në Prishtinë, aty ku u njoh dhe me shokun e saj të jetës Ali Rrahmanin, të cilët nga martesa e tyre do të kishin dy djem Nolin, i cili u nda nga jeta disa vite më parë dhe Asdrenin, artist e muzikant.
Fillimisht jetuan në Gjakovë prej nga ishte Aliu. Rabija punoi si arsimtare e gjuhës angleze në shkollën fillore “Mustafa Bakija”, ndërsa Aliu profesor po i gjuhës angleze në shkollën Normale “Isa Grezda” në Gjakovë. Pas viteve ‘60 u shpërngulën në Prishtinë, Rabija filloi punë në shkollën e mesme ekonomike ku ligjëronte gjuhën angleze më pas e kaluan në shkollën fillore “Ismajl Qemajli” në Prishtinë. Ndërsa Aliu kishte marrë përsipër detyra të reja. Ajo dhe familja e saj jetuan nën censurë e terror të plotë në Kosovë, shpesh duhej të paraqiteshin te zyrat e policisë sekrete jugosllave, SUP-it në Kosovë, siç ishte rasti kur në vitin 1991 në shkollën “Ismajl Qemajli” në Prishtinë, u bë panik sikur dikush kishte hedhur helm për të helmuar nxënësit.
Nga katër mësueset që ishin në atë shkollë, vetëm Rabijen e thërritën në zyrat e SUP-it, për të dëshmuar për ngjarjen, që ajo nuk kishte as lidhje as dijeni. Ky ishte një aspekt i presionit dhe persekucionit që ushtronte represioni serb mbi familjen Boletini, fëmijët, nipërit e mbesat e tij. Ja si e kujtonte ajo gjyshin Isë: “Kishte raste që më vite gjyshi Isë me djem, nipat e luftëtarët e tij nuk shiheshin në Kullë, pasi ishin gjithë kohës nëpër luftime, e kur ktheheshin, gëzoheshin të gjithë.
Më kujtohet një herë – thotë ajo – kur teze Ajete (motra e Shehides) u tha vajzave të familjes: Motra shikoni kush ka ardh, shikoni kush ka ardh”! Kishin mall e dashuri të madhe e të munguar për babain e tyre. Në vitin 1976 me një dekret të qeverisë shqiptare, Isa Boletini shpallet “Hero Kombëtar”, por me njohjen e Isës si figurë kombëtare, regjimi jugosllav shtoi edhe më tepër interesimin për familjen dhe veprimtarinë e saj.
Kaluan vite të terë dhe familja mbeti e ndarë përtej dy kufijve Shqipërisë dhe Kosovës dhe askush nuk dinte se çfarë po ndodhte me jetën e tyre. Rabija kujtonte me dhimbje edhe bisedën mes dy bijave të Isës, Ajetes dhe Shehides kur u takuan pas shumë vitesh për herë të parë në Shqipëri, në vitin 1976. Ajete Boletini jetonte në Durrës, ishte martuar me Abdullah Maxhunin, njeriun më të besuar të Isa Boletinit dhe kishin dy fëmijë, Afërditën dhe Nazmiun, që ka disa vite që është ndarë nga jeta. Afërdita u martua me nipin e Hasan Ferrit. Udhëtimi në Shqipëri i Anë Shehides (sepse Ana e thërrisnin fëmija) u përcoll rregullisht në “distancë” nga shërbimet sekrete shqiptare dhe spiunëve jugosllavë.
Mbaj mend atë kohë (bashkautorja) edhe gjyshja ime Hajrie Boletini Dajçi e pat takuar teze Shehiden në fshehtësi të plotë në Tiranë, pasi im atë edhe pse në pension, vuante dënimin në burgjet politike shqiptare, ndërkohë që kisha edhe xhaxhain të pushkatuar pa gjyq si intelektual dhe antikomunist nga forcat sllavo-komuniste në Prizren në vitin 1944. Në bisedat e saj Rabija, vazhdimisht fliste për kullat e jetën e nënës, gjyshit Isë e gjyshen Ajshe në Boletin, përshkruante aq bukur begatitë natyrore, bujarinë, mikpritjen, zakonet e trimëritë e nënë Shehides, patriotizmin e bujarinë e babait të saj Iliaz Muratit, vëllain Remzi Murati, nipi i Isa Boletinit që mes zjarrit të luftës e rreziqeve të mëdha, solli eshtrat e tij, nipave dhe luftëtarëve trima në Kosovë, që u vranë tradhtisht në Mal të Zi.
Shprehja e famshme e Isa Boletinit se: “Ballkani nuk do të ketë kurrë qetësi dhe për këtë faji do të bie mbi ju, e jo mbi ne, që do të luftojmë përherë deri sa të çlirohemi”. Është aktuale edhe sot, pasi Serbia nuk po ndalet me provokacionet, sulmet e vrasjet e saj në Kosovë. Diplomati dhe politikani anglez Abrey Herbert, miku i shqiptarëve dhe i Isa Boletinit, e ka quajtur Isa Boletinin “Robin Hudi i Shqipërisë”. Ndërsa gazetarja amerikane Bertha Spencer për Isa Boletin ka thënë: “Heroi më i madh shqiptar qysh prej Skënderbeut në Shekullin e XV”. Rabije Murati Rrahmani ishte një grua dhe nënë e rrallë, intelektuale e mirëfilltë, zonjë fisnike që përfaqësonte me dinjitet familjet Murati, Boletini, Ferri.
Ishte kënaqësi e veçantë të bisedoje me të, aq shumë të tërhiqte ngrohtësia, inteligjenca dhe dashuria e saj për anëtarët e familjes dhe të afërmit e gjakut të saj. Si bashkautore me Armendin, më mbeti merak që nuk pata rast ta vizitoj në Londër, por do të shkoj patjetër me mbesat e nipërit e saj që nuk e harrojnë kurrë, për të vendosur te varri i saj një kurorë me lule të freskëta. Edhe pse pas shumë vitesh që arrita të njoh gjysmën tjetër të familjes sime në Kosovë dhe në botë, jam e lumtur që plotësova amanetin e babait tim.
Burimi/Gazeta Panorama