Tifozët Shvercerat kanë shpërthyer në akuza të ashpra ndaj kryesisë së klubit dhe trajnerit pas serisë së humbjeve që ka lënë ekipin me 7 ndeshje dhe asnjë pikë. Në një komunikatë të publikuar, ata theksojnë se gjendja e rëndë ishte paralajmëruar muaj më parë, duke akuzuar drejtuesit për gënjeshtra, mosmenaxhim dhe thellim të krizës financiare, informon POPULLI.mk
“Që nga ardhja e këtij sponsori sezonin e kaluar po ballafaqohemi me krizë, e cila çdo ditë thellohet më tepër. Lojtarët dhe stafi nuk kanë marrë paga që nga janari i këtij viti, ndërsa kryesia vazhdon me premtime boshe për shlyerjen e borxheve”, shkruajnë Shvercerat.
Ata e konsiderojnë përgjegjës kryesor presidentin Jasin Konjali, i cili sipas tyre nuk përballet drejtpërdrejt me gjendjen në klub, si dhe trajnerin Umit Shahin, të cilin e quajnë “automekanik” dhe të papërshtatshëm për postin.
“Para fillimit të sezonit kemi kërkuar largimin e këtij trajneri, gjë me të cilën presidenti u pajtua, por sërish na gënjeu. Rezultati është i qartë: 7 ndeshje, 0 pikë”, theksohet në reagim.
Një tjetër gjest i fortë i tifozëve ishte zhveshja e fanellave të lojtarëve pas ndeshjes, për të cilën ata sqaruan se nuk kishte të bënte me futbollistët, por ishte një mesazh për sponsorin dhe trajnerin.
“Kur të largohet trajneri, ne do të kthejmë fanellat në klub”, deklarojnë Shvercerat, duke shtuar se do të vazhdojnë luftën për klubin edhe pas 36 viteve mbështetje të pandërprerë, deri në pastrimin nga “struktura kancerogjene”.
