Hanan Balkhy, Drejtoresha Rajonale e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Mesdheun Lindor, deklaroi se uria dhe zia e bukës kanë arritur nivele shumë të larta në Rripin e Gazës që ndodhet nën sulme dhe bllokadë intensive izraelite dhe se si pasojë e kësaj po vdesin njerëzit.
Balkhy iu përgjigj pyetjeve të Agjencisë Anadolu në lidhje me situatën në Gaza, në takimin e 78-të të Asamblesë Botërore të Shëndetësisë (OBSH), organit më të lartë vendimmarrës të OBSH-së, ku mbërriti për të marrë pjesë në Gjenevë të Zvicrës.
Duke vënë në dukje se situata në Gaza është shkatërruese, Balkhy tha se zonat dhe infrastruktura që janë shumë kritike për shëndetin janë shkatërruar plotësisht.
“Njerëzit jetojnë në një mjedis shumë të vështirë për sa i përket shëndetit. Higjiena është baza e shëndetit dhe kjo mungon në Gaza. Ekziston gjithashtu një shkatërrim në sistemin e kujdesit shëndetësor, vetëm disa spitale ofrojnë shërbim pjesërisht ose minimalisht. Ka shumë mungesë burimesh. 41 ose 42 për qind e ilaçeve thelbësore mungojnë plotësisht. 41 ose 42 për qind e vaksinave kryesore nuk janë në stok. Rreth 64 për qind e pajisjeve mjekësore nuk janë aspak në stoku”, tha Balkhy.
Balkhy vuri në dukje se ka punonjës shëndetësorë jashtëzakonisht rezistentë në Gaza dhe se kjo është një situatë shkatërruese ku ata po bëjnë më të mirën që munden me atë që kanë.
– “Kemi rreth 51 kamionë që presin në kufi për të shpërndarë më shumë ndihmë”
Pasi theksoi se janë përjetuar shpërthime të skuqjeve të lëkurës, pneumoni, infeksione të shumëfishta dhe çrregullimit të stresit post-traumatik, Balkhy tha se e gjithë kjo po ndikon negativisht te njerëzit e Gazës dhe se situata nuk duket e mirë.
Duke vënë në dukje gjithashtu edhe vështirësitë në shpërndarjen e ndihmës humanitare në Gaza, Balkhy tha:
“Kemi afërsisht 51 kamionë që presin në kufi për të shpërndarë më shumë ndihmë. Po përpiqemi të shpërndajmë atë që është në depot e OBSH-së në disa rajone. Po kemi vështirësi në sjelljen e 51 kamionëve në Gaza. Përveç kësaj, ushqimi që ka mbërritur pas javës së 11-të të bllokadës (të zbatuar nga Izraeli) nuk është i mjaftueshëm për nevojat. Në përgjithësi, uria dhe zia e bukës në Gaza kanë arritur nivele shumë të larta. Njerëzit janë shumë të dëshpëruar për të siguruar nevojat bazë ushqimore dhe ushqimin. (Për shkak të urisë) Fëmijët gjithashtu po vdesin. Ka njerëz që vdesin nga uria. Kjo është shumë e qartë. Kur njerëzit nuk hanë, ata vdesin nga uria. Njerëzit po vdesin pa ilaçe, trajtim dhe ushqim”.
Balkhy njoftoi se numri i të vrarëve në Gaza ka tejkaluar 54.000 dhe tha se ndoshta është më i lartë dhe se ata nuk e dinë se sa njerëz kanë vdekur nën rrënoja.
“Mendoj se shkatërrimi atje është përtej imagjinatës”, tha Balkhy.