Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, është institucioni i parë që ka dalë publikisht me qëndrim lidhur me propozimin për rritjen e pagës minimale neto në nivelin prej 500 euro, informon POPULLI.mk
Në reagimin e saj zyrtar, OEMVP thekson se, megjithëse mbështet përmirësimin e standardit të jetesës për punëtorët, kjo masë duhet të shoqërohet me politika të balancuara fiskale për të mos rënduar më tej bizneset, veçanërisht në një situatë jo të favorshme ekonomike ku ndodhet vendi.
“Rritja e pagës minimale duhet të bëhet paralelisht me ngrirjen e kontributeve. Kjo do të thotë që kontributet duhet të mbeten në të njëjtin nivel siç janë aktualisht për pagën minimale, dhe të mos përllogariten në mënyrë progresive, por proporcionale – pra të mbesin në nivel prej 32% të pagës neto,” thonë nga OEMVP.
Sipas Odës, vendi përballet me sfida të mëdha në aspektin e konkurrueshmërisë së ekonomisë, andaj çdo vendim që prek tregun e punës dhe kostot operative të bizneseve duhet të ndërmerret me kujdes dhe me konsultime të gjera me komunitetin ekonomik. / © POPULLI.mk



