8.8 C
Skopje
E enjte, 29 Shkurt, 2024

OKB: Fëmijët në Ga*za po vuajnë nga kushtet e tmerrshme!

Fëmijët në Gazë po vuajnë nga “kushtet e tmerrshme” dhe territori i përfshirë nga lufta vazhdon të jetë vendi më i rrezikshëm në botë për fëmijët. Kështu deklaroi zëvendësshefi i agjencisë për fëmijët i Kombeve të Bashkuara.

Ted Chaiban, pas përfundimit të vizitës treditore në Gazë, tha se që nga vizita e tij paraprake në këtë territor dy muaj më parë “situata ka shkuar nga katastrofike në buzë kolapsit”.

Nëse vazhdon ky trend i përkeqësimit të kushteve, “ne mund të shohim vdekje si pasojë e konfliktit pa dallim të shoqëruara me vdekje për shkak të sëmundjeve dhe urisë”, tha përmes një deklarate zëvendësshefi i UNICEF-it.

Chaiban tha se të martën ishte takuar me një vajzë 11-vjeçare, e quajtur Sama, në spitalin al-Nasser në Han Junis. Ajo po luante me miqtë e saj kur një copëz e predhës e goditi në stomak, duke bërë që ajo të humbte shpretkën. Tani, tha ai, sistemi i saj imunitar është komprometuar “në një zonë lufte të mbushur me sëmundje dhe infeksione”.

Dhjetë minuta më vonë, tha ai, u takua me Ibrahimin, 13 vjeç, i cili kishte qenë duke u strehuar në një zonë të cilësuar të sigurt, kur gjithçka kolapsoi. Dora e tij, që u lëndua rëndë, nuk u trajtua, dhe më pas plaga iu shndërrua në gangrenë dhe mjekët ia amputuan krahun.

“Disa orë pasi ne u larguam, shumë familje u larguan nga spitali al-Nasser, pasi luftimet u afruan më afër zonës”, tha Chaiban.

Lufta “ndaj fëmijëve” duhet të ndalojë, tha ai, duke përmendur shifrat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Kjo ministri ka raportuar për pothuajse 25.000 persona të vrarë që nga nisja e luftës më 7 tetor, duke thënë se 70 për qind e viktimave ishin gra dhe fëmijë.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit nisi pasi grupi radikal palestinez sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë./REL/

Të ngjajshme

Të fundit