Edhe pas dy ditësh konsultime, opozita nuk ka arritur të dalë me një kandidat për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës. Pas takimit me Tedi Blushin, Flamur Noka i besuar i Berishës thotë se opozita po punon për një emër përbashkues, ndërsa përjashtoi bashkëpunimin me të majtën e Arlind Qorit.
Ndërkohë, mazhoranca ka nisur fushatën në terren me Manastirliun si kandidate dhe nën drejtimin e zv.kryeministres Belinda Balluku.
Ende asnjë kandidat përballë Ogerta Manastirliut.
Edhe në ditën e dytë të konsultimeve, opozita dështoi të dilte me një emër për zgjedhjet e parakohshme të Tiranës. Pas takimit me Tedi Blushin, Flamur Noka,i mandatuari i Sali Berishës, e justifikoi mungesën e një kandidati me nevojën për një emër përbashkues mes aleateve.
“Kandidatë ka shumë por ne po përpiqemi të unifikojmë qëndrimet tona dhe parametrat që duhet të ketë një kandidat që të ketë në qendër qytetarin dhe shërbimin ndaj qytetit. Brenda pak ditësh do e kemi kandidatin. Nga partitë parlamentare përjashtohet vetëm e majta radikale e Qorit”, u shpreh Flamur Noka.
Ndërsa Partia e Lirisë është në kërkim të vaksinës.
“Vaksina jonë përballë Covidit të Edi Ramës do të jetë një kandidaturë që do e kthejë Bashkinë e Tiranës në shërbim të qytetarëve dhe do të japë njëherë e përgjithmonë paligjshmërisë abuzimit, korrupsioni, inkriminimit në këtë institucion”, tha Tedi Blushi.
Por ndërsa opozita nuk ka gjetur ende kandidatin, mazhoranca ka nisur fushatën. Zv. Kryeministrja Belinda Balluku është në krye të fushatës për Ogerta Manastirliun ndërsa deputetet kanë nisur takimet me strukturat socialiste për të rimarrë sërish Bashkinë e Tiranës.
Burimi /abcnews.al/