Pas rritjes së pagave për disa zyrtarë një ditë më parë, ka reaguar LSDM-ja duke thënë se kryeministrit Hristijan Mickoski nuk i intereson që qytetarët përballen me rritjen e çmimeve çdo ditë, por përkundrazi, prioriteti i tij është përfitimi personal i zyrtarëve.
“Mickoski premtoi publikisht se pagat e zyrtarëve nuk do të rriten, sot shohim se kjo është vetëm një tjetër premtim i rremë nga shumë premtime të rreme, dhe derisa njerëzit kursejnë për ushqim, kursejnë për ilaçe, kursejnë për fatura zyrtarët e Vmro Dpmne-së, Vlen-it dhe Znam-it, po shijojnë luksin me automjete zyrtare, fluturime çarter, papaja, mango, tani edhe me paga më të larta”, tha Bogdanka Kuzeska– LSDM.
VMRO DPMNE thekson se ka stabilizim të ekonomisë dhe, për herë të parë, rritje të Prodhimit Bruto Vendor. Shtojnë se LSDM mund të flasë sa të dojë, por parametrat ekonomikë tregojnë se ekonomia e shkatërruar që lanë pas po riparohet ngadalë.
“Rritja pozitive e vazhdueshme e PBV-së prej 3% ose më lart është bazë e mirë për arritjen e rritjes së parashikuar prej 3.7% këtë vit dhe që inflacioni të ulet në 2.2%. Kjo rritje ekonomike do të kontribuojë në rritje të mëtejshme të qëndrueshme të pagave dhe pensioneve që do të përmirësojë jetën e qytetarëve. Që nga formimi i qeverisë, pagat e të gjithë punonjësve në kujdesin shëndetësor, arsim, polici dhe ushtri janë rritur disa herë, paga minimale është rritur gjithashtu në përputhje me ligjin, kurse pensionet e të gjithë pensionistëve janë rritur në mënyrë lineare për 5000 denarë”, thonë nga VMRO DPMNE.
Ndërsa partitë politike grinden, qytetarët ankohen se mezi sigurojnë kushtet dhe produktet bazë.