6.8 C
Skopje
E martë, 15 Tetor, 2024

Opozita vazhdon me kritika ndaj Qeverisë Kurti, thonë se shteti ka ngecje në këto 4 vite

Në konferencën pas mbledhjes së parë të Kryesisë së Kuvendit për sesionin vjeshtor, opozita ka vazhduar me kritikat ndaj Qeverisë Kurti. Në deklarimet e tyre, shefat e grupeve parlamentare të opozitës thanë se Kosova është dobësuar dhe ka ngecur në këto katër vite.

Madje, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se partia ku ai bën pjesë po angazhohet që në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, Kosova të ketë një qeveri të re.

Sipas Tahirit gjatë këtij mandati qeverisës ka pasur ngecje në disa fusha, qoftë në aspektin ekonomik, atë të shëndetësisë e arsim.

“Si grup parlamentar i Partisë Demokratike, gjatë kësaj periudhe natyrisht që do të angazhohemi maksimalisht që ky proces të përmbyllet dhe të arrijmë t’i përfundojmë punët të cilat mund t’i ndihmojnë sado pak Kosovës. Edhe pse, siç e shihni jemi të izoluar e të bllokuar, pra komplet angazhimi ynë parlamentar, do të shkojë që vendit tonë t’i japim një qeveri të re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Në këtë kohë çfare jemi, në këtë përplasje me miqtë tanë, me ata të cilët na kanë ndihmuar të vijmë në këtë pikë, në anën tjetër në bllokimin e shtetit tonë, si në aspektin ekonomik, shëndetësisë, arsimit, e stagnimeve në të gjitha fushat tjera”, tha Tahiri para gazetarëve.

Se Kosova ka pësuar dobësim serioz gjatë këtyre katër viteve e tha edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Nën menaxhimin e kësaj qeverie, Tahiri tha se Kosova vetëm se është kthyer mbrapa.

E për këtë periudhë të mbetur mbi tre muaj të Qeverisë Kurti, Besnik Tahiri deklaroi se AAK-ja do të angazhohet që të shtyjë përpara tri çështja që si parti i shohin më të rëndësishme, Ligjin për Pagën minimale ku tha se AAK-ja do ta bëjë mesataren një mijë euro, Ligjin për Sigurimet Shëndetësore si dhe deklaroi se do ta forcojnë ekonominë.

Për Arben Gashin e LDK-së, Qeveria Kurti është më e dobëta në historinë e Kosovës. Sipas tij, partia në pushtet gjatë këtij mandati është munduar të bëjë kapjen e institucioneve, ndërsa shtoi se poashtu ka pasur shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës së Republikës.

Sipas tij, LDK-ja në këta muajt e fundit do të angazhohe t’ju ofrojë qytetarëve platformë dhe ide për katër vitet e ardhshme.

 

 

 

Burimi/Reporteri.net/

Të ngjajshme

Të fundit