3.8 C
Skopje
E martë, 2 Dhjetor, 2025

OSBE e shqetësuar: Moscertifikimi i Listës Serbe shkel standardet ndërkombëtare

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka shprehur zhgënjimin dhe shqetësimin për moscertifikimin e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

“OSBE në Kosovë shpreh zhgënjimin e saj të fortë – dhe shqetësimin e thellë – për vendimin e disa përfaqësuesve të partive politike brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të refuzuar ose për të abstenuar nga miratimi i kërkesës për akreditim të Listës Serbe për përfshirje në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Misioni dënon veprimet që minojnë të drejtën e subjekteve politike për të marrë pjesë në zgjedhje. Veprime të tilla përfaqësojnë një largim të qartë nga standardet zgjedhore të pranuara ndërkombëtarisht”, shkruan OSBE.

Tutje, misioni shpreh shqetësimin me “polarizimin politike në rritje brenda KQZ-së”.

“Ne jemi seriozisht të shqetësuar nga polarizimi politik në rritje brenda KQZ-së, i reflektuar në sjelljen e votimit që duket se drejtohet nga interesa partiake dhe jo nga kriteret ligjore dhe parimet demokratike. Një sjellje e tillë minon paanshmërinë dhe besueshmërinë thelbësore për një organ të pavarur të menaxhimit të zgjedhjeve”, shton misioni.

OSBE shton se “këto veprime rrezikojnë të dëmtojnë besimin e publikut në procesin zgjedhor dhe të përforcojnë perceptimet se vendimet janë të motivuara politikisht dhe jo të udhëhequra nga drejtësia, përfshirja dhe transparenca”.

OSBE po ashtu i kërkon KQZ-së dhe të gjithë aktorëve politikë të mbështesin profesionalizmin, paanshmërinë dhe standardet demokratike, duke siguruar që zgjedhjet e 28 dhjetorit të zhvillohen plotësisht sipas praktikave më të mira ndërkombëtare të vendosura.

Të ngjajshme

Të fundit