Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar nobelisten e paqes, me prejardhje shqiptare, Gonxhe Bojaxhiun – Nënë Terezën, përcjell TV21.
Nëpërmjet një shkrimi n Facebook, Osmani ka sjellë në kujtesë një thënie të Nënë Terezës ku thotë:
“Me gjak unë jam shqiptare. Me shtetësi jam indiane. Me besim unë jam një murgeshë katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës…”.
E para e Kosovë, nobelisten e paqes e cilëson si “një fanarë dhembshurie, përulësie dhe shërbimi vetëmohues ndaj njerëzimit”.
“Në Ditën e Humanizmit, nderojmë jo vetëm jetën dhe trashëgiminë e një gruaje të jashtëzakonshme, por edhe vlerat që ajo mishëroi – dhembshurinë, dashurinë dhe shërbimin ndaj njerëzimit.
Nëna jonë Terezë mbetet një fanarë dhembshurie, përulësie dhe shërbimi vetëmohues ndaj njerëzimit. Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, me krenari e identifikoi veten si shqiptare, ndaj vepra e saj jetësore gjithnjë na mbushë zemrat me krenari e frymëzim.
Përkushtimi i Nënë Terezës për më të varfrit, besimi i saj i palëkundur dhe dashuria për njerëzit, pavarësisht nga prejardhja e tyre, duhet të jenë udhërrëfyes për një botë më humane.
Në 27 vjetorin e ikjes në amshim e kujtojmë me respekt dhe jemi krenar që botës i dhamë nënën më të madhe që njohu njerëzimi, Gonxhe Bojaxhiun, të Shenjtën Terezë”, shkruan më tej Osmani./TV21