6.8 C
Skopje
E enjte, 25 Dhjetor, 2025

OVL e UÇK-së: Specialja i mohoi Salih Mustafës vizitën pranë babait para se të ndërrojë jetë!

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK’së ka reaguar për vdekjen e babait të Salih Mustafës, të cilin gjatë kohës që ishte i sëmurë Mustafa nuk pati leje ta vizitojë.

OVL e UÇK’së shprehet e indinjuar dhe e shqetësuar për refuzimin Speciales që Salih Mustafa ta vizitojë babanë.

“OVL UÇK shpreh indinjatën dhe shqetësimin e thellë për refuzimin e Dhomave të Specializuara në Hagë që t’i mundësojnë Salih Mustafës një vizitë humanitare pranë babait të tij, i cili tashmë ka ndërruar jetë, pa e parë dhe pa i dhënë lamtumirën e fundit të birit.”

Sipas kësaj organizate vendimi i Speciale përbën shkelje të rëndë të parimeve themlore të të drejtave të njeriut.

“Ky vendim i pashpjegueshëm dhe johuman përbën një shkelje të rëndë të parimeve themelore të të drejtave të njeriut dhe të çdo standardi minimal të humanizmit. Salih Mustafa është i dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe nuk ka ekzistuar asnjë rrezik për ndikim në dëshmitarë apo në ndonjë proces gjyqësor. Refuzimi i një kërkese të tillë humanitare nuk ka as bazë ligjore dhe as morale. Mohimi i së drejtës për t’i qëndruar pranë prindit në momentet e fundit të jetës dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit është një akt që tejkalon çdo kufi të drejtësisë dhe e zhvesh procesin nga çdo ndjenjë njerëzore. Drejtësia pa humanizëm nuk është drejtësi, por padrejtësi e institucionalizuar.”

OVL e UÇK’së i shpreh ngushëllime familjarëve.

“Ngushëllime familjes Mustafa, bashkëluftëtarëve të Calit dhe të gjithë atyre që e njohën bacën Jahja.”

Të ngjajshme

Të fundit