2.8 C
Skopje
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Paret e vjedhura

Shkruan: Edison Ypi

Askush nuk do pare të pastra, pare djerse. Të gjithë duan pare të pista, pare të vjedhura. Ka gjithfarëlloj paresh: pare pune, pare djerse, pare të pastra, pare të pista, pare të ndershme, pare të vërteta, pare të rrejshme, crypto pare, pare piramidash, pare xhepi, pare të merituara, pare bixhozi, pare të trashëguara, pare të falura, pare të fituara, pare të humbura. Por s’ka pare si paret e vjedhura. Janë paret më të mrekullueshme, më të shijshme, më të shëndetshme, më fatlumet e të gjitha pareve.

Nuk duan pare tjetër shqiptarët: veçse pare të vjedhura. Dhe çudia e çudirave është se adhuruesit më të mëdhenj të pareve të vjedhura nuk janë të ndershmit, janë hajdutët. Për vjedhësit, parja e vjedhur, duke qenë produkt pune, lodhje, rreziku, ndonjëherë (për ironi) edhe djerse, parja e vjedhur nuk ekziston. Por, për hajdutët ekziston tjetra, parja e pastër, parja e lodhjes, parja e rrezikut. Ndërkohë, parja e vjedhur adhurohet, dashurohet, nderohet, më së shumti nga fukaraja. Pasunarët dhe hajdutët pra, i falen pares së pastër. Fukarenjtë, plaku, i riu, nëpunësi, kafepirësi, i papuni, kalamani, e thonë hapur: Dua pare të vjedhura. Paret e pastra janë pare xhepi. Me pare djerse blihen vetëm çikërrima. Me pare të vjedhura ngrihen grataçiela. Tregojnë për njërin, i cili për shkak të rrethanave të favorshme apo oportuniteteve të përsëritura, mund të fitonte pare të pastra, pare djerse, por jo pare të vjedhura. Nga dëshpërimi u hoq mënjanë.

Tani po pret të vdesë duke i shtyrë ditët pa pare, vetëm me cicërrima zogjsh, ujë burimi, shkurre, gjethe ferre dhe diazepama. Të dyja paret, edhe paret e pastra, edhe paret e pista apo të vjedhura janë pare të ndotura. Parja e pastër është e ndotur me aromën e djersës. Parja e vjedhur është e fëlliqur me gjak. Kurrkush deri më sot nuk e ka dhënë një shpjegim shterues pse pjesa dërrmuese e shqiptarëve, mes pareve të vjedhura dhe pareve të merituara, preferojnë paren e vjedhur, pra gjakun para djersës. Marrëdhënia e pares së djersës me paren e vjedhur është një ekuacion me plot të panjohura, që kurrë s’ka për t’u zgjidhur. Për shembull, s’ka ende asnjë përgjigje për pyetjet: A janë pare të pastra apo të pista paret që, para se të jepen ose merren borxh, ishin pare të vjedhura? Parja paraprakisht e vjedhur nga dikush, fituar në bixhoz nga një i tretë, është pare e pastër apo pare e vjedhur? S’kuptohet pse duan të kenë, të paguhen, të paguajnë, të ruajnë, të këmbejnë, të qarkullojnë, vetëm pare të pista, sa më të përgjakura, sa më të vjedhura, më tepër se një herë, mundësisht disa herë të vjedhura, dy herë, tri herë, pesë herë, sa më tepër herë, aq më mirë. Paret e vjedhura janë qejfi, lumturia, ekstaza, orgazma e shqiptarëve. Mos me pa me sy pare të pastër, por vetëm pare të vjedhura, është kuintesenca e marrëdhënies së shqiptarit me paret.

Ka edhe plot pyetje të tjera që kanë mbetur pezull: A quhet vjedhje me vjedh pare të vjedhura? Kur shet diçka dhe merr pare, nëse paret e marra janë pare të vjedhura, a quhet vjedhje? A je hajdut kur blen me pare të vjedhura nga një tjetër? A je hajn nëse shpërblehesh për një punë me pare të vjedhura? Vetëm vjedhësit e lekut janë hajduta, apo edhe vjedhësit e valutave? Kur këmben lekë të vjedhura në valutë, ose valutë të vjedhur në lekë, a janë të pastra apo të vjedhura valuta apo lekët e operacionit të këmbimit? Tani që parja e djersës ikën në Gjermani, në Angli, në Amerikë dhe këtu ngelet parja e pisët, parja e vjedhur, a do të ndodhë që pas një kohe do mbetemi me zero pare djerse? Qarkullon një hipotezë, sipas të cilës e vërteta e marrëdhënies së shqiptarëve me paret ndodhet në librat e Marksit. Por qarkulluesit nuk janë të besueshëm.

Një supozim tjetër bëhet nga ca që thonë se për shqipot, parja e pastër është Zoti, parja e pisët është djalli. E meqenëse Zoti është një burrë i urtë i sinqertë me mustaqe që flet ngadalë e jep këshilla të cilit ia hedh kollaj, ndërsa Djalli një çapkën që s’e kap dot as me gjethe fiku, Djalli është më i mirë se Zoti, paret e pista janë më të mira se paret e pastra. Po kalojnë dy mesoburra. Njëri po i bërtet tjetrit me sa ka në kokë: -Nuk dua të m’i falësh. Dua të m’i vjedhësh.

Të ngjajshme

Të fundit