Prej vitesh, mungesa e parkingjeve në komunën e Çairit është kthyer në një prej sfidave më të mëdha për qytetarët. Çdo ditë, banorët përballen me stresin e gjetjes së një vendi për të parkuar, shpeshherë duke i lënë veturat në vende të palejuara, duke bllokuar rrugica, trotuare apo hyrje të banesave. Ankesa ka nga të gjitha lagjet – dhe të gjithë janë të një mendimi: “Kështu nuk vazhdohet më!”
Shkruan POPULLI.mk
Në këtë situatë delikate, shtrohet pyetja: A është parkingu me pagesë një zgjidhje për Çairin? Qyteti e Shkupit dhe disa nga komunat përreth tashmë e kanë zbatuar këtë model, duke menaxhuar më mirë hapësirat publike për parkim, por edhe duke nxitur ndërtimin e infrastrukturës moderne për parkim. Por a do të funksiononte i njëjti sistem edhe në Çair?
Ka zëra që thonë se aplikimi i pagesës për parkim, sidomos rreth banesave, mund të revoltojë qytetarët. Nga ana tjetër, po këta banorë kërkojnë zgjidhje konkrete. Atëherë, a është koha që edhe në Çair të ketë një sistem të mirëfilltë parkingu me pagesë, ku banorëve t’u ofrohen kushte të përshtatshme dhe vendparkime të garantuara?
Shpesh është përfolur për ndërtimin e parkingjeve në kate në zona kyçe të komunës. Janë përmendur lokacione, janë bërë premtime para zgjedhjeve. Por sapo përfundojnë zgjedhjet, gjithçka harrohet dhe situata mbetet e njëjtë – ose edhe përkeqësohet. Gjithashtu edhe ndërtimi i shumtë i ndërtesave ka bërë që gjendja të bëhet edhe më katastrofike.
Është momenti që komuna të dalë nga cikli i premtimeve boshe dhe të nisë të veprojë me plane konkrete dhe afate të qarta. Nëse zgjidhja afatshkurtër është menaxhimi më i mirë i hapësirave aktuale, atëherë një sistem parkimi me pagesë për banorët (me tarifa të përballueshme) mund të jetë një hap i parë drejt rregullit dhe zgjidhjes. Por paralelisht duhet menduar për ndërtimin e parkingjeve në kate që do të ulnin presionin ndaj hapësirave publike.
Qytetarët e Çairit nuk kërkojnë mrekulli – kërkojnë zgjidhje të thjeshta, të menaxhueshme dhe të ndershme. Mbi të gjitha, kërkojnë që një herë të vetme, ajo që u premtohet të mos harrohet ditën pas zgjedhjeve. / © POPULLI.mk



