28.8 C
Skopje
E mërkurë, 9 Korrik, 2025

Parlamenti Evropian miraton raportin për RMV-në, fshihet gjuha dhe identiteti maqedonas!

Me 461 vota për, 121 kundër dhe 107 abstenime, Parlamenti Evropian e miratoi raportin për Maqedoninë, por nga ai u fshinë identiteti dhe gjuha maqedonase. Para votimit të amendamenteve të propozuara nga eurodeputetët bullgarë, me të cilat kërkohej heqja e këtyre elementeve nga teksti, ishte siguruar shumica e nevojshme nga tre partitë më të mëdha, gjë që bëri që amendamentet të miratohen. Debati për raportin u zhvillua mbrëmë, ku raportuesi Thomas Waitz kërkoi përkrahje për Maqedoninë.

“A janë ata partnerë të besueshëm për ne? Po, marrin pjesë 100% në politikën tonë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë. Dhe ajo që po themi është se ky vend ka një potencial të madh, dhe ky raport është një hap përpara drejt anëtarësimit në BE”, tha Thomas Waitz – Raportues për Maqedoninë.

Eurodeputetja sllovene me prejardhje maqedonase, Irena Joveva, me një ton të ashpër iu drejtua deputetëve bullgarë në gjuhën maqedonase, duke u thënë se për ekzistencën e popullit, gjuhës dhe identitetit maqedonas nuk u duhet leja e tyre.

“Gjuha maqedonase është autentike, përpjekjet tuaja janë fiksione moderne. Identiteti që ka mbijetuar shekuj nuk do të zhduket për shkak të një votimi apo lobimi tuaj. Për të ekzistuar populli maqedonas nuk i duhet leja juaj, por juve për ta pranuar këtë ju nevojitet ndershmëri, integritet dhe guxim – e di”, shtoi Irena Joveva – Eurodeputete nga Sllovenia.

Eurodeputeti bullgar Ivajllo Valçev iu drejtua qytetarëve të Maqedonisë.

“Dua t’i drejtohem shoqërisë maqedonase. Mickoski po ju gënjen. Futja e bullgarëve në të gjitha pjesët relevante të Kushtetutës dhe respektimi i Marrëveshjes me Bullgarinë nga viti 2017, si dhe korniza negociuese, nuk do ta cenojnë identitetin tuaj. Çdo shtyrje e reformave për të filluar negociatat e anëtarësimit do ta bëjë pikërisht këtë”, shtoi Ivajllo Valçev – Eurodeputet nga Bullgaria.

Duke komentuar zhvillimet rreth raportit për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova tha se Bashkimi Evropian ka problem serioz me demokracinë.

Të ngjajshme

Të fundit