Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan deklaroi se nuk do të rikandidojë për një mandat tjetër presidencial, duke i hapur rrugën një epoke të re politike në vend. Në një deklaratë të bërë publike nga agjencia shtetërore Anadolu, Erdogan theksoi nevojën për një kushtetutë të re, duke e quajtur dokumentin aktual si një pengesë për zhvillimin demokratik të Turqisë.
“Nuk kam ndërmend të rikandidoj për president. Qëllimi ynë i vetëm është përmirësimi i reputacionit të vendit tonë. Turqia po ndryshon, bota po ndryshon… Na nevojitet një kushtetutë e propozuar nga civilët, jo nga puçistët”, u shpreh Erdogan.
Deklarata e Erdoganit shënon një moment historik, pasi ai ka qenë figura dominuese e politikës turke për më shumë se dy dekada, duke udhëhequr vendin si kryeministër dhe më pas si president që nga viti 2003. Ai u rizgjodh për një mandat të tretë në vitin 2023 dhe pritet të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2028.
Megjithatë, opozita turke mbetet skeptike. Sipas saj, përpjekjet për ndryshimin e kushtetutës mund të përdoren për të konsoliduar më tej pushtetin ekzekutiv, në vend që të garantojnë një ndarje të balancuar të pushteteve. Analistët paralajmërojnë se çdo proces kushtetues do të jetë i mbushur me tensione politike dhe do të kërkojë konsensus të gjerë.
Burimi © SYRI.net