Pas takimit të sotëm ndërmjet kreut të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, dhe liderëve të koalicionit VLEN, duket se rrugët politike po ndahen gjithnjë e më shumë, informon POPULLI.mk.
Një ndër figurat që mund të mbetet jashtë marrëveshjes qeverisëse është lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.
Në një reagim të shkurtër në rrjetin social Facebook, Taravari shkroi: “Reagim? S’ia vlen!”. Mesazhi ironik është parë si një shenjë zhgënjimi dhe si konfirmim indirekt se ai nuk do të jetë pjesë e Qeverisë së re.
Burime të afërta me negociatat pohojnë se VMRO-DPMNE pritet të marrë Ministrinë e Shëndetësisë, një dikaster që deri më tani është udhëhequr nga ASH, Arben Taravari, ndërsa koalicioni VLEN pritet të udhëheqë Ministrinë e Arsimit.
Zhvillimet e fundit vijnë pasi ASh vendosi të dalë me kandidatë të pavarur në zgjedhjet lokale, duke u ndarë nga VLEN, një vendim që duket se ka ndikuar në skenarin e tanishëm politik.
Duket qartë se përplasjet mes aktorëve shqiptarë po krijojnë një realitet të ri në ndarjen e pushtetit. / © POPULLI.mk