35.8 C
Skopje
E diel, 21 Korrik, 2024

Pendarovski: Avokati i Popullit si mbrojtës i të drejtave dhe lirive të qytetarëve mund të kontribuojë në reformat e shërbimeve të sigurisë

Si kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kemi përgjegjësinë që puna e shërbimeve të sigurisë të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet dhe nën kontrollin e institucioneve politike demokratike, por edhe të institucioneve të pavarura për mbikëqyrje, si dhe të shoqërisë civile, me qëllim që shërbimet e sigurisë të kryejnë funksionin e tyre duke respektuar parimin e shtetit ligjor dhe duke mbrojtur të drejtat dhe liritë e qytetarëve, theksoi në fjalën e tij, presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në konferencën ndërkombëtare “Roli mbikëqyrës i Avokatit të Popullit mbi strukturat e inteligjencës dhe sigurisë”.

Ai theksoi se si një vend që në tre dekadat e fundit ka pasur disa përvoja jashtëzakonisht negative në të cilat janë përfshirë shërbimet e sigurisë dhe që kanë shkelur masivisht të drejtat dhe liritë e njeriut, mbi të gjitha, të drejtën për privatësi, ne kemi një përgjegjësi të madhe ndaj qytetarëve që të krijojmë mekanizma të qëndrueshëm për mbikëqyrje dhe kontroll, për të mos përsëritur kurrë abuzimet flagrante të shërbimeve për interesa personale dhe partiake që kemi parë jo shumë kohë më parë.

Presidenti Pendarovski theksoi se shërbimet e sigurisë nuk kanë pasur reforma të mira, siç tha ai, nga periudha e fitimit të pavarësisë dhe kalimit në një demokraci pluraliste.

“Për shumë vite pas pavarësisë, shërbimet e sigurisë u trajtuan në heshtje si një instrument për të kontrolluar kundërshtarët politikë, në vend se si institucione shtetërore përgjegjëse për sigurinë kombëtare. Mantra e vjetër e kohës së socializmit se shërbimet janë “shpata në duart e partisë” vazhdoi të funksiononte në formë të modifikuar në sistemin shumëpartiak, ku gjatë ndërrimit të qeverisë, marrja në kontroll e shërbimeve ishte prioritet kryesor politik. Edhe një pjesë e pjesëtarëve të shërbimeve nuk i kanë rezistuar kësaj praktike antidemokratike, por në përpjekje për të ruajtur pozitat, karrierën dhe privilegjet e tyre, shpeshherë janë vënë në shërbim të strukturës aktuale në pushtet”, tha Pendarovski.

Ai vuri në dukje se pikërisht kjo është arsyeja pse skandale të njëjta ose të ngjashme kanë ndodhur në periudha të ndryshme kohore dhe pse struktura organizative, e veçanërisht praktika operacionale e shërbimeve, nuk pësoi ndryshime të rëndësishme për një kohë të gjatë.

Kreu i shtetit theksoi se vitet e fundit janë bërë reforma të cilat, siç thotë ai të paktën në nivel legjislativ, kanë sjellë ndryshime pozitive në organizimin dhe punën e shërbimeve.

“Nëpërmjet një ligji të posaçëm, ish-Administrata e Sigurimit dhe Kundërzbulimit u shndërrua në Agjencinë e Sigurisë Kombëtare dhe u nda nga ana organizative dhe funksionale nga Ministria e Punëve të Brendshme. Monitorimi i komunikimeve nga ish Drejtoria e Sigurimit dhe Kundërzbulimit në kuadër të MPB-së kaloi në Agjencinë Operative Teknike, e cila është institucion i pavarur shtetëror me detyrë që të mundësojë lidhje teknike ndërmjet operatorëve dhe institucioneve shtetërore në bazë të procedurës së përcaktuar me ligj”, thotë Pendarovski.

Presidenti shtoi se pas më shumë se 25 vitesh, u miratua Ligji i ri për Agjencinë e Inteligjencës, i cili ishte bazë për një reformë të thellë të këtij shërbimi, për të përmbushur efektivisht rolin e tij në një kohë të sfidave jashtëzakonisht komplekse gjeopolitike rajonale dhe globale.

Por sipas tij, edhe pse ka progres, nuk mund të thuhet se reformat në sistemin e sigurisë kanë përfunduar, në fushën e mbikëqyrjes dhe kontrollit të punës së shërbimeve.

“Këto ishin segmentet kyçe në rekomandimet që morëm nga raporti i grupit të ekspertëve të udhëhequr nga Rajnhard Priebe, përkatësisht parandalimi i përsëritjes së përgjimeve masive dhe cenimit të privatësisë së qytetarëve që është kryer prej vitesh nga disa anëtarë të shërbimeve, me kërkesë të qeverisë së atëhershme. Në këtë segment, Avokati i Popullit ka një rol veçanërisht të rëndësishëm. Edhe pse ky institucion ka proporcionalisht më pak kompetenca ekzekutive në krahasim me Prokurorinë apo Komisionin Mbikëqyrës Parlamentar, megjithatë, ai është më afër thelbit të asaj që quhet – kontroll civil mbi qeverinë, duke përfshirë një nga pjesët më të ndjeshme të saj – shërbimet e sigurisë”, tha nëfjalën e tij Pendarovski.

Ai vuri në dukje se institucioni i Avokatit të Popullit ka kompetencë të kërkojë përgjigje nga institucionet e qeverisë pas ankesave të qytetarëve, duke përfshirë kontrollimin e informacionit të klasifikuar me të cilin kryesisht punojnë shërbimet e sigurisë, të bëjë vërejtjet dhe rekomandimet e veta për institucionet e Qeverisë, jo vetëm bazë për raportet e mediave, por edhe një instrument për rritjen dhe ndryshimin e ndërgjegjësimit publik.

“Avokati i Popullit, si mbrojtës i të drejtave dhe lirive të garantuara me kushtetutë të qytetarëve, mund të iniciojë Prokurorinë dhe zhvillimin e procedurës përkatëse penale nëse gjatë kryerjes së funksionit mbikëqyrës vlerëson se ka bazë për dyshime, se është kryer vepër penale nga institucionet dhe përfaqësuesit e tyre. Këto kompetenca, nga këndvështrimi i opinionit, nuk janë as të vogla dhe as që mund të neglizhohen apo të margjinalizohen lehtë nga institucionet dhe zyrtarët e lartë në to”, tha Pendarovski.

Presidenti theksoi mbështetjen e plotë të institucionit të Avokatit të Popullit dhe inkurajoi atë që në të ardhmen të ketë një qasje edhe më proaktive dhe madje të inicojë procedura që përfundimisht do të ndihmojnë në krijimin e një kulture të re juridike dhe politike për vendin dhe rolin e duhur të sigurisë në shërbim të demokraci. Pendarovski beson se në këtë mënyrë Avokati i Popullit do të kontribuojë në reformimin e shërbimeve, do të parandalojë keqpërdorimet dhe shkeljet e mundshme të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe në përgjithësi do të kontribuojë në ndërtimin e një shteti funksional juridik.

Të ngjajshme

Të fundit