0.8 C
Skopje
E diel, 21 Dhjetor, 2025

Pendarovski me “Levicën” kundër vizitës së Kurtit

Mënyra e realizimit të idesë për riemërimin e rrugës në komunën e Çairit, sipas Pendarovskit, është në kundërshtim me parimin e debatit demokratik dhe respektimin e trashëgimisë historike të të gjitha bashkësive në shtet

Xhenur ISENI

Shkup, 13 gusht – Vizita e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në komunën e Çairit dhe qytetin e Tetovës ngjalli reagime të shumta duke filluar nga Presidenti i shtetit e deri tek blloku opozitarë. Si duket, thirrja e Kurtit që Maqedonia t’i qëndrojë sa më afër shqiptarëve dhe bullgarëve dhe sa ma larg serbëve, krijoi një kakofoni në mbarë skenën politike në Maqedoni.

“Theksimi i ikonografisë provokuese nacionaliste që promovon ide shoviniste shtetërore të mëdha paraqet ndezjen e urrejtjes dhe intolerancës etnike, e cila pa mëdyshje sulmon parimet dhe vlerat bazë të Marrëveshjes Kornizë si dhe konceptin e Maqedonisë si shtet multietnik”, u tha në reagimin e Presidentit Stevo Pendarovski në lidhje me vizitën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Çair dhe Tetovë. “Organizatorët e tubimeve publike në Tetovë dhe Çair duhet të sanksionohen ligjërisht për shkeljen e dispozitave ligjore për përdorimin e flamurit dhe himnit shtetëror dhe flamujve dhe simboleve të komuniteteve, duke i injoruar plotësisht simbolet e shtetit. Në këtë drejtim, i bëj thirrje organeve kompetente që sa më shpejt të kryejnë procedurat e parapara”, thotë Pendarovski.

Ndërsa opozita gishtin e drejton kah LSDM-ja në pushtet. “LSDM bën sikur nuk dinë asgjë, se nuk kanë faj, sikur kanë rënë nga Marsi edhe për ndryshimin e emrave të rrugëve nga viti 2021, si dhe për vizitën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti”, thuhet në reagimin e fundit të VMRO-DPMNE-së opozitare. “Në mars të vitit 2021, LSDM dhe BDI në mënyrë unanime ndryshuan emrat e rreth 500 rrugëve, urave dhe objekteve të tjera në Shkup, duke përfshirë edhe rrugën e ‘Brigadës së Dytë Greva Maqedonase’ në ‘Adem Demaçi’. Demaçi nuk ka asnjë lidhje me historinë e vendit, as me Shkupin, përkundrazi, ai njihet për qëndrimet e tij nacionaliste ndaj vendeve të huaja. Pasi që as BDI-ja dhe LSDM-ja nuk e dinin se kryeministri i Kosovës do të vinte për të vizituar vendin, atëherë kush e porositi mbrojtjen e tij me sigurinë shtetërore? Nëse Albin Kurti do të ishte në një vizitë private në Maqedoni, a do të mbrohej plotësisht nga MPB? Spasovski të përgjigjet mbi çfarë baze i është dhënë mbrojtja policore gjatë një vizite private dhe kush do t’i paguajë shpenzimet për angazhimin e zyrtarëve të MPB-së? Duke mos pasur projekte reale për qytetarët, BDI dhe LSDM-ja mbulojnë dhe defokusojnë krimin e përditshëm dhe vjedhjen e shtetit me agjendë nacionaliste”, thanë nga VMRO-DPMNE.

Lidhur me vizitën e kryeministrit Kurti në Shkup ka reaguar edhe partia ultra-nacionaliste e Majta, të cilët thanë se po të ishin ata në pushtet, Bilall Kasami do të ishte në burg ndërsa Kurti do të shpallej “Persona Non Grata”. “Nëse E majta do të ishte në pushtet, Kasami deri tani do të ishte në paraburgim dhe Kurti do të ishte shpallur ‘persona non grata’. Mësimi: Kujdes për kë votoni!”, shkruan Apasiev.

Reagime ka pasur edhe nga kreu i Kumanovës Maksim Dimitrievski i cili ftoi institucionet hetuese të hetojnë shkeljen e Kushtetutës dhe ligjeve, me mosintonimin e himnit të Maqedonisë por të atij shqiptar, mosvendosjen e simboleve shtetërore dhe përdorimin e simboleve, siç thotë ai, të Shqipërisë së madhe, gjatë aktiviteteve të djeshme. “Për këtë bashkëjetesë dhe respekt të ndërsjellë luftuam nën parullën “Një shoqëri për të gjithë”? Si ndjeheni sot kur kujtimet e gjyshërve tanë të rënë, partizanëve, antifashistëve nga Lufta Nacional Çlirimtare (nga të gjithë kombet dhe kombësitë në Maqedoni në atë kohë) FSHIHEN dhe emërohen me emra të luftëtarëve të kauzave kombëtare? Ju heshtni për të dytën ditë me radhë kurse heshtja në këtë rast është më shumë se turp”, u shpreh Maksim Dimitrievski, kryetar i Komunës së Kumanovës.

Kurti në Shkup dhe Tetovë takoi vetëm politikanë të Frontit opozitar dhe asnjë nga radhët e pushtetit. Ai tha se këtë vizitë e bën si kryeministër, në mënyrë vëllazërore dhe miqësore. (koha.mk)

 

Të ngjajshme

Të fundit