19.8 C
Skopje
E diel, 8 Shtator, 2024

Për Kadarenë

Shkruan: Blerim Shala

Vdekja e Ismail Kadaresë, në mëngjesin e ditës së parë të javës që qëlloi të jetë edhe fillimi i muajit korrik, ri-shfaqi një fenomen shumë të rrallë ndër shqiptarët: bashkimin.

Një javë më parë, shqiptarët u bashkuan me dalldi dhe entuziazëm të paparë pas një sporti  (futbolli), e kësaj radhe, rreth një shkrimtari. Mbase, kjo do të ndodhë për herë të parë dhe të fundit. Sikurse, për herë të parë dhe të fundit do ta kemi të gjithë ne ndjenjën që duhet t’a ngushëllojmë njeri-tjetrin, sepse kjo vdekje, ashtu mendojmë  (dhe këtu kemi të drejtë), na ka goditur të gjithëve.

Kadare, në këtë kontekst, padyshim është shqiptari i mbramë që ka arritur këtë përbashkim të të gjithë neve, rreth një ndjenje, një mendimi, një mërzie, një ngushëllimi, një bindjeje, një qëndrimi.

Natyrisht, e tëra kjo është kalimtare ndër ne. Nuk duhet pasur iluzion që kjo gjendje që shpërtheu tok me lajmin për shkuarjen e Kadaresë, do të krijojë një kthesë kulturore dhe qytetëruese  (tek e mbrama), tek shqiptarët, së paku jo në Kosovë dhe në Shqipëri.

Tek e fundit, këtë po e marrim vesh edhe nga mënyra se si po ndahemi, si po i themi lamtumirë Ismail Kadaresë.

Kanë gufuar, në të katër anët e shprehjeve në gjuhën shqipe, pohimet mbushur me patetikë, të përcjellura me fotografitë e përbashkëta të shkruesve të tyre me Kadarenë  (ky nuk e ka refuzuar kënd për të marrë një tabllo me te), e në rrjetet shoqërore kanë vërshuar fjalët e nduarnduarta me të cilat autorët e tyre përpiqem me ngulm të dëshmojnë që e kanë njohur personalisht Kadarenë, ose, për më shumë, që janë ekspertë të fushës letrare me një orientim specifik apo shumë të veçantë të dijes për veprën e tërësishme të Kadaresë.

Të gjitha këto reagime  (edhe pse këtu duhet shtuar që ka pasur edhe paraqitje dinjitoze dhe adekuate të atyre që njëmend e njohin jetën dhe veprën e Kadaresë), synojnë një protagonizëm të kulluar, e jo në shfaqje dije dhe respekti për një shkrimtar dhe autor të jashtëzakonshëm, për një njeri dhe intelektual të pashoq të kombit shqiptar në njëqind vitet e fundit.

Kadare nuk i mbeti borxh askujt, si autor dhe si njeri. Dikush mund të thotë këtu që ky u bë autor i çmuar dhe i vlerësuar te ne, sepse para se të gjithash, u shfaq i tillë në Francë dhe në Evropë. Tjetërkush do të mund të shtojë këtu që kushtet tepër të rënda politike në të cilat ky jetoi dhe krijoi, në një Shqipëri komuniste, ishin shtytësi kryesor për te që ta definojë ‘Republikën’ e letrave të tij, ku ishte vet sovran, ku ishte vet vendimmarrës, ku ishte vet përcaktues i fatit të protagonistëve të tij që silleshin vërdallë kobit kolektiv të një populli.

Shumëkush do të konstatojë që Kadare bëri shumë për shqiptarët e Kosovës, për shpëtimin e tyre nga shfarosja e projektuar e tyre nga Serbia, se nuk la vend pa folur për Kosovën, duke shërbyer kështu si një ‘kryediplomat’ i Kosovës në vitet më të vështira të saj.

Këta do të mund poashtu të theksojnë që Kadare më mirë se shumë politkanë kuptoi pse është më mirë që Kosova të bëhet shtet dhe të mos i bashkohet Shqipërisë.

Mbase, të gjithë ata që e kanë lexuar Kadarenë dhe që i kanë përcjellur paraqitjet e tij mediatike, të cilat përherë ka qenë me masë, të sakta dhe të kujdesshme, mund të mbërrinë lehtë tek kryeporosia njerëzore dhe autoriale e Ismail Kadaresë: Shqiptarët janë pjesë e Qytetërimit Perëndimor, janë Evropë dhe janë Perëndim.

Ndryshe, edhe pse në një moshë të shtyrë, dhe tash e shumë vjet pa ndonjë vepër letrare, sa herë vinte koha për ndarjen e Çmimit Nobel për letërsi, (në tetor), emri i tij lakohej ndër pretendentët më serioz  (dhe gjithsesi më meritor), për t’u vlerësuar me këtë Çmim.

Me kriteret e Komitetit të Nobelit të vdekurit nuk mund t’a fitojnë Çmimin e shkrimtarit më të mirë për një vit të caktuar.

Dy autorët namëmadh evropian, Milan Kundera, i cili vdiq tash një vit  (me 11 korrik, 2023) dhe Ismail Kadare, që u largua pak ditë më parë, kanë merituar qëmoti të marrin pjesë në ceremoninë ku emri i tyre do të lexohej si fitues të Çmimit Nobel për letërsi.

Kjo është një humbje e madhe për Çmimin Nobel. Para se të gjithash.

Të ngjajshme

Të fundit