30.8 C
Skopje
E mërkurë, 12 Gusht, 2026

Përçarja e VLEN-it, një favor i madh për BDI-në në zgjedhjet e ardhshme

Koalicioni VLEN, i cili erdhi në pushtet me premtimin për ndryshim, po përballet me sfidën më të madhe të brendshme – përçarjen e mundshme të partnerëve të tij. Në qendër të këtij debati është Arben Taravari, i cili gjithnjë e më shumë po sinjalizon një distancim nga VLEN, duke ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e koalicionit dhe stabilitetin e tij politik, shkruan POPULLI.mk

Nëse Taravari vendos të largohet, kjo do të sillte një tronditje të madhe brenda VLEN-it dhe mund të ndikojë në riformatimin e skenës politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Pyetja kryesore mbetet se si do të vazhdojnë partitë brenda VLEN-it pas një ndarjeje të mundshme?

Ndërkohë, BDI, që tashmë ka 10 muaj jashtë pushtetit, duket se mezi po pret zgjedhjet e parakohshme për të rikthyer dominimin politik. Një përçarje e VLEN-it vetëm sa do ta forconte BDI-në, e cila do të përdorte situatën për të mobilizuar elektoratin dhe për të rikthyer besimin e humbur.

Për më tepër, kritikat ndaj VLEN-it nuk po ndalen as nga aktivistët dhe përkrahësit e tij. Shumë prej tyre ndihen të zhgënjyer, duke thënë se koalicioni nuk ka dëshmuar se është ndryshe nga paraardhësit e tij, pavarësisht sloganit elektoral “Ndryshimi VLEN”. Mungesa e reformave të dukshme dhe problemet e brendshme kanë lënë shumë hapësirë për skepticizëm mbi aftësinë e VLEN-it për të qeverisur me stabilitet dhe për të sjellë ndryshimin e premtuar te shqiptarët.

Në këtë situatë të paqartë, mbetet të shihet nëse VLEN do të arrijë të ruajë unitetin apo nëse përçarja do të jetë fatale për këtë projekt politik. Ajo që dihet me siguri është se një fragmentim i koalicionit do të përforconte BDI-në dhe do ta rikthente atë në lojën politike më të fuqishme se më parë. / © POPULLI.mk