24.8 C
Skopje
E mërkurë, 11 Qershor, 2025

“Përfaqësimi”, Mickoski: Ligji është gati do ta dërgojmë në “Venecia”

Kryeministri Hristijan Mickoski thekson që Ligji për përfaqësim të drejtë është gati dhe së shpejti pritet që të miratohet në Qeveri, ndërsa para se të lëshohet në procedurë kuvendore do të dërgohet në Komisionin e Venecias për mendim.

“Gati është Ligji për Përfaqësim të drejtë. Pritet në seancat e radhës të qeverisë të kalojë. Do ta njoftojmë opinionin, ndërsa më pas do ta dërgojmë në Komisionin e Venecias për mendim normalisht dhe do të presim mendim nga Komisioni i Venecias. Të shohim, nëse kemi bërë diçka mirë atëherë menjëherë e lëshojmë në procedurë kuvendore”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Mickoski shtoi se gjatë përpilimit të ligjit janë konsultuar me shumë ekspertë me qëllim që të mos keqpërdoret nga partitë për nacionalizëm, një çështje e cila është kategori kushtetuese.

“Shumë shpejt prej sot do ta marrim mendimin edhe nga Komisioni i Venecias dhe ky ligj do të jetë në kuadër të procedurës kuvendore. Ajo është kategori kushtetuese dhe patjetër të respektohet”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Ligji për Përfaqësim tanimë tetë muaj po paralajmërohet nga koalicioni qeveritar, si zëvendësim i “balancuesit” të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, i cili deri atëherë shfrytëzohej si instrument për të garantuar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve gjatë punësimeve në administratë. Për dallim prej Ligjit të Gjuhëve, i cili për mendim u dërgua në Komisionin e Venecias pasi u miratua në Kuvend, Ligji për Përfaqësim të drejtë do të dërgohet në Komision, para se të votohet.

Alsat mëson se partnerët e koalicionit qeveritar kanë rënë dakord tashmë për zgjidhjen ligjore përfundimtare për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë, zgjidhje e cila parashikon formimin e një trupi apo Këshilli Koordinues brenda qeverisë që do ta mbikëqyrë procesin. Në fokus të zgjidhjes ligjore nuk përjashtohen modalitetet përcaktuese që burojnë nga letërnjoftimet dhe dokumente të tjera personale. /Alsat.mk

Të ngjajshme

Të fundit