5.8 C
Skopje
E premte, 13 Mars, 2026

Përfaqësuesja e parë rome në qeveri, Ina Majko zëvendësministre

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se Ina Majko është emëruar zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Në një postim në rrjetet sociale, Rama e ka quajtur Majkon “prurjen e parë ndër shumë të tjera në rrugën drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian”, informon POPULLI.mk

“Ajo sapo është zgjedhur zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, pasi ka spikatur në skuadrën e 11 majit, mes atyre që edhe pse nuk ia dolën të fitonin një vend në Kuvendin e ri, ishin një vlerë e shtuar e PS2030 në përfaqësimin e komuniteteve e të grupeve të ndryshme të interesit”, ka shkruar Rama.

Ina Majko vjen nga komuniteti rom dhe është përfaqësuesja e parë e këtij komuniteti në nivel kabineti qeveritar në historinë e vendit. Ajo do të mbulojë çështjet që lidhen me njerëzit më në nevojë të shoqërisë, veçanërisht në fushën e mbrojtjes sociale.

Rama ka ndarë edhe historinë e saj personale, duke theksuar se Majko është rritur mes paragjykimesh dhe vështirësish të mëdha ekonomike, por ka arritur të diplomohet jashtë vendit me rezultate të larta dhe flet pesë gjuhë të huaja. Ai e ka cilësuar si “një zë të bukur të komunitetit të saj në platformat sociale”.

“Uroj që Ina të jetë një vlerë e shtuar edhe në punën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e një mbështetje më shumë për familjet e fëmijët në nevojë”, ka përfunduar Rama. / © POPULLI.mk

Të ngjajshme

Të fundit